×
  • Lajme
  • Lajme / Fb

    Reporteri publikoi bisedat e Kryesisë në Viber, vjen reagimi i parë nga LDK’ja

    Reporteri
    31 Mars 2025 | 22:31

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar disa orë pasi Gazeta Online Reporteri.net publikoi disa komunikime të brendshme mes anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie në Viber, ku flitet për një “skeme të organizuar kriminale” lidhur me votat me postë të mërgatës.

    Në komunikimet e publikuara sot, janë mesazhet e Kujtim Shalës, Arben Gashit, Armend Zemajt dhe Avdullah Hotit. Gashi në këtë komunikim këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.

    Ka qenë Paris Guri, ai që ka bërë një reagim të shkurtë për këto biseda, ku në profilin e tij ka shkruar “LDK nuk shantazhohet”.

    Ndryshe, Reporteri.net sot publikoi komunikimet e brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, këtë herë në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku.

    Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në këtë komunikim po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”. Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar këto komunikime të brendshme.

    “Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.

    “Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.

    “Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në Viber të kryesisë së LDK-së, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.

    “Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.

    Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.

    “Kujtë qitja emrin… skemë e organizuar kriminale” – përplasja në “Viber” mes Shalës e Gashit për votat e diasporës

    “Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë në “WhatsApp” e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!