Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar për takimin konsultues që ka zhvilluar këtë javë me Kryetarin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahun, me të cilin ka diskutuar për procesin e shqyrtimit të tarifave të rrymës për këtë vit. Postimi vjen një ditë para se ZRRE të vendosë për tarifat.
Rizvanolli ka deklaruar se ka kërkuar nga Fejzullahu sqarime shtesë rreth disa çështjeve, përfshirë çmimin e kapaciteteve të transmisionit, për të cilat ka thënë se duhet analizë e detajuar, duke shtuar se çdo kosto që mund të ishte shmangur nuk duhet të bjerë mbi qytetarët, por të mbahen përgjegjës operatorët, shkruan Reporteri.net.
“Përveç komenteve të dërguara me shkrim, nga ZRrE kërkova trajtim me prioritet dhe mënyrë proaktive të nivelit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, përfshirë auditimin e investimeve të deritanishme, uljen e humbjeve teknike me hapa më të shpejtë dhe eliminimin e humbjeve komerciale”, ka shkruar Rizvanolli.
Ndryshe, nga muaji i ardhshëm, rryma në Kosovë mund të shtrenjtohet për 15 për qind.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.
ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.
Sipas këtij institucioni, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta./Reporteri.net