Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Telekomi i Kosovës do të përballojë me sukes “goditjen nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qevesijeve të kaluara”.
Përmes një postimi, Rizvanolli ka shkruar se ato kontrata qëllim të vetëm e kishin degradimin dhe privatimin e Telekomit, ku sipas saj, u krijonin mundësi të pabesueshme për pasurim të paligjshëm kompanive private, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Telekomi do të përballojë me sukses edhe këtë goditje, TË FUNDIT, nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qeverisjeve të kaluara që të vetmin qëllim kishin degradimin e privatizimin e Telekomit, ndërkohë që u krijonin mundësi të pabesueshme për pasurim të paligjshëm kompanive private në kurriz të Telekomit, e blenin vota përmes punësimeve partiake në masë, pa konkurse”, ka shkruar ajo në Facebook.
Po ashtu, ministrja Rizvanolli, ka njoftuar se janë duke vazhduar investimet për modernizimin e telefonisë mobile të Telekomit, VALA me teknologji 5g dhe 4g.
“Ndërkohë, investimet po vazhdojnë Istog e në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, për të vazhduar me Klinën, me të cilën komunë përmbyllet kjo fazë e modernizimit të telefonisë mobile të Telekomit, VALA me teknologji 5g dhe 4g”, ka shtuar ajo.
Sot, Federata Sindikale e Pavarur e Postes dhe Telekomunikacionit të Kosovës, ka kërkuar nga prokuroria të nis hetimet për bllokimin e llogarive të Telekomit të Kosovës, i cili veprim sipas tyre është marrë nga përmbaruesi me urdhër të ish pronarëve të Z-Mobile.
/Reporteri.net/.