Procesi i vaksinimit për personat e moshës mbi 65 vjeç do të vazhdojë edhe sot në të gjitha komunat e Kosovës.
Disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale nga qytetarët, paraqesin numrin e madh të personave që po presin në radhë për t’u vaksinuar në sallën ‘1 tetori’ në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.
Por ajo që bie në sy është mungesa e organizimit jashtë sallës, ku shihen një grumbull i madh i të moshuarve që presin për të marrë vaksinën anti-COVID, teksa nuk respektohet distanca fizike.
Ditë më parë pati ankesa nga qytetarët të cilët thanë se ka shumë parregullsi dhe shumë persona sipas tyre po hynë pa rend.
Ndryshe, procesi i vaksinimit u ndërpre të premtën shkaku i festës së Fitër Bajramit.
Ndërsa sot vaksinimi do të filloi nga ora 08:00 e do të zgjasë deri në orën 19:30 dhe do të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeçare. Prioritet thuhet se do të kenë ata që janë regjistruar në platformën e-Kosova.
Për banorët e kryeqytetit, vaksinimi do të bëhet në sallën “1 Tetori”, derisa nëpër komunat e tjera, vaksinimi do të kryhet nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Vaksinimi do të vazhdojë edhe gjatë vikendit në të njëjtin orar.
Kujtojmë se Kosova gjatë këtyre ditëve ka pranuar një kontingjent të ri të vaksinave.
Fillimisht të hënën arritën 3 mijë doza ta vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian. Kurse të mërkurën në Kosovë arritën 38 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca përmes COVAX.
Ministria e Shëndetësisë, që nga mbërritja e 24 mijë dozave të vaksinës anti-COVID në mars të këtij viti, ka zbatuar Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për t’u vaksinuar. /Reporteri.net