Inspektorati i Kryeqytetit ka ndërprerë punët ndërtimore në një lokacion në lagjen e Veternikut, për shkak të rrëshqitjes së dheut.
Përmes një njoftimi zyrtar, Inspektorati ka bërë të qartë se punë në këtë lokacion zhvilloheshin me leje ndërtimore, raporton Reporteri.net.
“Inspektorati i Kryeqytetit, edhe para rrëshqitjes së dheut dhe dëmtimit të rrugës, gjatë kontrollit inspektues, ka urdhëruar investitorin që të rrethojë gropën ndërtimore dhe t’i marrë masat e parapara e të nevojshme të sigurisë në vend – ndërtim dhe respektimin e plotë të projektit të aprovuar të gropës ndërtimore. Në ndërkohë, menjëherë pas pranimit të informacionit për rrëshqitjen e dheut dhe dëmtimin e rrugës, Inspektorati ka ndërrmarë veprime të menjëhershme në përputhje me autorizimet ligjore që ka”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Në vendimin për ndërprerjen e të gjitha punëve ndërtimore – përveç atyre që ndërlidhen me sanimin e gjendjes së krijuar – thuhet se investitori është urdhëruar të aplikojë në Drejtorinë e Urbanizmit për plotësim/ndryshim të projektit të sigurimit të gropës ndërtimore.
Më tej, në njoftim thuhet se është lëshuar urdhëresë për sanimin e menjëhershëm të gjendjes së krijuar pas rrëshqitjes së dheut.
“Pas këtyre veprimeve, Inspektorati ka konstatuar se investitori ka ndërmarrë disa veprime për sanimin e gjendjes por që aty ka pasur sërish rrëshqitje të dheut. Kështu, në këtë fazë jemi në pritje aprovimit të plotësim/ndryshimit të projektit kryesor nga Drejtoria kompetente dhe po ashtu rasti është duke u shqyrtuar edhe më tutje në Inspektorat për të parë nëse duhet të ndërmerren edhe masa të tjera nga investitori konform rrethanave të reja të krijuara aty dhe me qëllim të sanimit sa më të shpejtë të gjendjes”, thuhet tutje në postimin e tyre në Facebook.
/Reporteri.net/