×
  • Lajme
  • Lajme

    Rritet numri i të hospitalizuarve me COVID-19, rëndohet gjendja në spitalet e Kosovës

    Reporteri
    03 Mars 2021 | 18:07

    Institucionet publike shëndetësore në vend kanë filluar të ngarkohen me pacientë me rritjen e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19. Nga këto institucione tregojnë se gjendja së fundmi është duke u rënduar për shkak të rritjes së numrit të rasteve të hospitalizuara me COVID-19.


    Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se së fundmi ka pasur rritje të rasteve me COVID-19, të cilat kanë kërkuar trajtim shëndetësor në këtë spital.

    Ai ka treguar se momentalisht në këtë spital janë të shtrirë 53 pacientë të infektuar me koronavirus, 6 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

    “Së fundmi ka pasur rritje të pacientëve të hospitalizuar. Sot janë 53 pacientë me COVID-19 të pranuar në spital. 6 prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët janë në gjendje stabile”, ka thënë ai për Express.

    Edhe drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, ka thënë se së fundmi është rritur numri i pacientëve të hospitalizuar me COVID-19 .

    Ai ka thënë se për momentin 31 pacientë janë të shtrirë në këtë spital.

    “Ka rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar në Spitalin e Ferizajt. Për momentin në kemi 31 pacientë. Gjendja e tyre është stabile”, ka theksuar ai.

    Numri i pacientëve të hospitalizuar me COVID-19 është rritur edhe në Spitalin e Gjakovës.

    Një gjë të tillë e ka konfirmuar drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala.

    Ai ka treguar se në këtë spital janë të shtrirë 83 pacientë, prej të cilëve 52 të konfirmuar pozitiv, 22 negativ dhe 8 të pakonfirmuar.

    2 nga këta pacientë janë në respiratorë, ndërsa 35 janë me oksigjen.

    Nga Spitali i Pejës kanë thënë se aktualisht janë të hospitalizuar 45 pacientë me COVID-19.

    Nga ky spital është thënë se nuk ka pasur rritje të theksuar të pacientëve.

    “Aktualisht kemi 45 pacientë të shtrirë me COVID-19. Ndërsa, nuk ka pasur rritje të theksuara të pacientëve gjatë kohës së fundit. Që një kohe të gjatë kemi përafërsisht numër të njëjtë”.

    Fluks të madh të pacientëve së fundmi kanë edhe Qendrat e Mjekësisë Familjare në vend.

    Nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë kanë treguar se numri i pacientëve me simptoma të COVID-19 është shumë më i madh këto ditë.

    Nga kjo qendër kanë thënë se pacientët me simptoma të tilla i udhëzojnë që të testohen.

    Kujtojmë që numri i rasteve të infektuara me COVID-19 është rritur ditëve të fundit në Kosovë.

    Infektologë në vend vlerësojnë se rritja e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19 vie si pasojë e fushatës zgjedhore dhe pranisë së variantit të ri anglez të këtij virusi.

    Derisa vaksinimi i qytetarëve është parë urgjent në menaxhimin e situatës me koronavirus, COVAX ka bërë të ditur se të gjitha shtetet pjesëmarrëse, përfshirë edhe Kosova, do të furnizohen deri në muajin maj me dozën e parë të vaksinave.

    Kosova deri në maj pritet të furnizohet me 100 mijë e 800 vaksina nga COVAX.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!