×
  • Lajme
  • Lajme

    Rugova: LDK-ja tani duhet ta ndihmojë Vjosën për presidente

    Reporteri
    15 Shkurt 2021 | 9:46

    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit që e radhisin të parën Lëvizjen Vetëvendosje.


    Rugova përmes Facebook-ut, në tri pika ka shkruar për fitoren e LVV-së dhe radhitjen e LDK-së në vend të tretë.

    Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se uron që Albin Kurti të mbajë premtimet e të mos viktimizohet më tutje.

    Sa për Vjosa Osmanin, ai shton se mendon që deputetët e LDK-së duhet të rrijnë në sallë që t’ia bëjnë kuorumin që e njejta të zgjidhet presidente.

    “ Urime fituesit. Urojmë që Albini të mbajë premtimet dhe të mos viktimizohet më tutje. Tani e ka kohën që të përqafojë përgjegjësinë që ia kanë dhënë qytetarët dhe të mos aktrojë më. Sa për Vjosën. Mendoj që deputetët e LDK-së duhet të rrinë në sallë dhe t’ia bëjnë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit. Është shumë me rëndësi që maskat të bien deri në fund dhe që, të gjithë ata votues të LDK-së që i besuan, ta kuptojnë se e tëra, gjithë histeria e saj, ishte vetëm për poste dhe përfitime personale. Në demagogjinë e saj nuk ka as edhe një pikë sinqeriteti dhe kjo do të shihet edhe më shumë në periudhën që kemi para”, ka thënë ai.

    “I përshëndes deklaratat e Kryetarit Mustafa dhe Kryeministrit Hoti, megjithatë duhet ta theksoj që nuk kemi kohë për të humbur. Elektorati ynë na ka dënuar dhe ky mesazh është kristal i qartë. Zgjedhjet në total, por edhe disfata jonë në bastionet tona tregon që komplet garda e vjetër, që me vite tani po i ik reflektimit, duhet të japë dorëheqje dhe të largohen menjëherë. Të rinjtë dhe të ardhurit në parti, që e kanë ndihmuar këtë strukturë të vjetër brenda partisë sonë, duhet të reflektojnë dhe të mësojnë nga kjo përvojë. Ka ardhur koha të ndahemi përgjithmonë nga arroganca, narcizmi dhe egot e sëmura. Le të reflektojmë, le të veprojmë dhe le të kthehemi më të fuqishëm se para. LDK është pasuri fundamentale e këtij populli”, tha Rugova.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!