×
  • Lajme
  • Lajme / Veri

    Serbët nisin protestën kundër hapjes së Urës së Ibrit

    Reporteri
    07 Gusht 2024 | 11:21

    Disa qytetarë serbë janë mbledhur sot sheshin “Braçe Miliq” në Mitrovicën Veriore, afër Urës së Ibrit, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Prezentë ndodhen pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por edhe KFOR-i.

    Serbët që po protestojnë janë shfaqur me pankarta “Në urë mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti hap urën, përgjegjës do të mbeten KFOR dhe QUINT-i” dhe “Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja po lëshojnë deklarata, ne po na dëbojnë”.

    Sipas mediave  serbe në protestë  do të kundërshtohet hapja e mundshme e  Urës së Ibrit, të cilën po e kërkon Qeveria e Kosovës e derisa veprimi i njëjtë është kundërshtuar nga ndërkombëtarët.

    Aty janë  parë edhe drejtuesit e Listës Serbe: Zlatan Elek, Dragisa Miloviq, Slavko Simiç, Igor Simiç, Ivan Todosijeviq.

    Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

    Reagimi i KFOR-it vjen pas kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë përgjatë vizitës në Mitrovicë të Veriut se “nuk ka arsye që ura të mos hapet’. /Reporteri.net/

    Serbët protestojnë sot në veri, përgënjeshtrohen pretendimet e Serbisë për “marshim të shqiptarëve në Urën e Ibrit”

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!