Taksa ndaj mallrave serbe dhe rinisja e dialogut do të jenë pikat që do ta pengojnë jetësimin e linjes ajrore Prishtinë-Beograd, e cila bëri bujë sot në media.
Këtë e thonë nga Ministria për Ekonomi në Qeverinë e Serbisë, të cilët qartazi kërkojnë tërheqjen nga taksa dhe rikthimi në dialog, tema këto që në Kosovë konsiderohen “të rënda”, shkruan Reporteri.net.
“Që linja ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës të realizohet vërtetë të jetësohet, është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës pa vonesë të heqë taksën prej 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, dhe të fillojnë zbatimin e një numri të obligimeve të marra dhe të kthehet në tavolinën e dialogut të mbikëqyrur nga Bashkimi Evropian”, thonë nga ministria serbe për Ekonomi.
Ndërkohë, në Kosovë ka pasur krejt tjetër mendim. Kanë qenë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në largim Ramush Haradinaj, të cilët janë shprehur të lumtur me këtë marrëveshje.
“E mirëpres nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd. Sigurisht që kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi.
Haradinaj, ndërkaq, e ka cilësuar si hap gjigant këtë marrëveshje.
“Nisma për të hapur rrugën e tretë ajrore civile të Kosovës për fluturime komeraciale në Serbi, pas Shqipërisë dhe Maqedonisë është një hap gjigant për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe konsolidimin e sovranitetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Tuiter.
Ndryshe, vetë amerikanët si sponsorues të kësaj marrëveshje janë shprehur tejet të lumtur. Ka qenë ambasadori amerikan Richard Grenell, i cili ka thënë se kjo është një fitore historike e presidentit Trump./Reporteri.net