×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi i MPJD-së

    Serbia ia vazhdon paraburgimin edhe për një muaj ish-policit Arbnor Spahiu

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 18:37

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se ish-policit Arbnor Spahiu i është vazhduar paraburgimi është për një muaj në Serbi, shkruan Reporteri.net.

    Sipas MPJD, avokati ka njoftuar se i ka dorëzuar gjykatës të gjitha dokumentet përkatëse të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe dokumentacionet që dëshmojnë se Spahiu e kishte lënë Policinë e Kosovës vite përpara ngjarjes së Banjskës, për çka kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Online Reporteri.net, duke e publikuar edhe letrën e dorëheqjes së tij.

    Familjarët e tij do të udhëtojnë drejt Suboticës për ta vizituar Spahiun, ndërsa do të ndalen edhe në Beograd për një takim me përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse.

    “Duke marrë parasysh vendimin për vazhdimin e paraburgimit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të paraqesë kërkesë formale për lejimin e vizitës tek z. Spahiu, miratimi i të cilës pritet të bëhet brenda kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme”, thuhet tutje në njoftim.

    Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor 2025 dhe ndaj tij u shqiptua masa fillestare e paraburgimit më 9 qershor. Prokuroria e Lartë e Suboticës ka iniciuar procedurë penale me pretendimet për përfshirje të Spahiut në rastin e Banjskës, megjithatë, sipas avokatit mbrojtës, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë apo dëshmi e besueshme që do të rëndonte pozitën e tij ligjore./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!