×
  • Lajme
  • Lajme

    Iniciativa e Veselit për Tribunalin vazhdon të “terrorizon” Serbinë, reagon edhe zv.kryeministrja serbe

    Reporteri
    06 Maj 2019 | 19:03

    Kryekuvendari Kadri Veseli, sot ka nisur formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.


    Veseli, në një adresim në Kuvendin e Kosovës, duke folur para përfaqësuesve të shoqatave të pagjeturve, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera të pavarura, tha sot se Kosova do të vazhdojë të kërkojë themelimin e një Tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë pasi serbët që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve të Kosovës ende nuk janë gjykuar.

    “Po flasim për një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb, të paanshme, të domosdoshme. Një Gjykate Ndërkombëtare, e cila do të gjykojë dhe dënojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Këto krime qe arrijnë përmasat e gjenocidit. Janë qindra masakra të kryera nga ushtria serbe. Janë dhjetëra-mijëra civilë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e gra. Janë mijëra femra të dhunuara dhe 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova, në një përndjekje të ngjashme me Holokaustin e hebrenjve. Ende, 20 vjet pas luftës, për këto masakra dhe krime nuk ka drejtësi. Sepse, Tribunali i Hagës e ka lënë të papërfunduar drejtësinë për masakrat e Serbisë në Kosovë. Po ashtu, drejtësia ndërkombëtare në Kosovë ka dështuar krejtësisht. Për fat të keq, edhe ne vetë, si Kosovë, nuk kemi bërë sa duhet – për sa i përket dokumentimit të të dhënave dhe dëshmitarëve”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

    Por kjo iniciativë e Veselit po “terrorizon” Serbinë.

    Është zëvendëskryeministrja serbe, Zorana Mihajlloviq, që ka reguar së fundmi duke thënë se, formimi i një Tribunali të tillë është edhe një tjetër provë se politikanët nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë për një të ardhme më të mirë për rajonin.

    “Prishtina e rimori të gjithë rajonin në të kaluarën kur është fjala për liritë ekonomike, futja e taksës e që është kundër të gjitha rregullave të botës së qytetëruar. Nuk ishte e mjaftueshme për ta dhe tani ata duan të krijojnë një histori të rrejshme që do të fshehte të vërtetën për vrasjen dhe dëbimin e serbëve nga Kosova dhe shkatërrimin e kishave dhe manastireve serbe”, tha Mihajlloviq.

    Ajo më tej ka pohuar se Kosovës nuk i mjaftoi vendosja e taksës tash po pretendon dhe se përmes këtij Tribunali, Kosova po tenton të krijojë një histori të rrejshme.

    Lidhur me formimin e këtij Tribunali ditë më parë ka reaguar edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiç e cila ka thënë se nuk pret asgjë të mirë nga gjykatat e Kosovës që kanë pranuar rastet nga misioni i EULEX-it.

    Kurse ndihmësi drejtori i të ashtuquajturës Zyrë të Kosovës Petar Petkoviç ka pohuar se institucionet e drejtësisë në Prishtinë nuk janë të pjekura të gjykojnë këto raste të ndjeshme si janë krimet e luftës dhe si shumë herë deri tani janë në shërbim të frikësimit të serbëve në Kosovë.

    Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës ka votuar pro krijimit të rezolutës, përmes të cilës do i kërkojnë Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, për themelimin e një Tribunali Special për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

    Për krijimin e kësaj rezolute votuan të gjithë deputetët prezentë ‘pro’. Gjithsej ishin 68 vota. Kuvendi dha votat edhe për krijimin e një komisioni të veçantë për këtë shkak, ku votuan 66 deputetë ‘për’

    Një iniciativë e tillë vjen gati 4 vjet pas miratimit të Gjykatës Speciale për Kosovën. Ajo tashmë ka nisur të thërras dëshmitarët dhe të dyshuarit nga radhës e UÇK-së për krime.

    Reporteri.net javë më parë raportoi sipas burimeve te larta dhe mirë informuara se vetëm në muajin prill do të vijnë rreth 40 ftesa. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!