Albulena Haxhiu sot u propozua për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje. Në dy votimet që u bënë ajo dështoi të merrte votat e mjaftueshme, duke bërë që seanca të shtyhet për të hënën, në një tentim të ri për të zgjedhur kryeparlamentarin.
Vetë Haxhiu sot konfirmoi se do të jetë sërish emri i propozuar për kryeparlamentare, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Por dy ditë më parë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, ndër të tjera thoshte se nuk e imagjinon veten në këtë pozitë.
Ajo u pyet për zërat që mund të jetë e nominuara e VV-së për kryeparlamentare, e po ashtu edhe për zërat se mund të emërohet shefe e grupit parlamentar.
“Jo, nuk ka asgjë të vërtetë. Deri tani jo. Mua herë më lënë në ministri, herë shefe të grupit parlamentar, e herë kryetare të Kuvendit. Asnjëra nga këto nuk qëndron. Por, e them me bindje – kudo që të jem, detyrën time do ta kryej me përgjegjësi.”
“Nuk e imagjinoj veten në asnjërën prej këtyre pozitave”, tha Haxhiu të enjten në Kanal 10.
Në seancën e sotme, nga 61 vota sa duhen, në dy tentativa, Haxhiu mori vetëm 57. Përpjekja tjetër do të jetë të hënën, në orën 15:00.
Propozimi për Haxhiun u bë pas kalimit të raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve, që pasoi me betimin e tyre. Ky raport ishte arsyeja e dështimit të seancës konstituive të martën dhe të enjten.
Pas ndërprerjes së seancës, Haxhiu tha se opozita e deridjeshme po e mban të bllokuar Kuvendin, pasi s’e mbështetën propozimin e Vetëvendosjes.
“Së pari më lejoni të falenderoj 57 deputetë që më mbështetën që të jem kryetare e Kuvendit, duhen edhe 4 vota. Pra, nga të gjithë deputetët, 61 duhet të jenë për. Siç e kuptuat, seanca u peuzullua, brenda 48 orëve u thirr seanca e radhës, Kuvendi nuk kunstitohet pa u zgjedhë kryetari dhe nënkryetarët. Ne ishim gati të vazhdojmë me procedurat e mëtejme, mirëpo duket që opozita po e mban të bllokuar Kuvendin sepse nuk e mbështeten propozimin e VV-së. I përket VV-së ta bëjnë propozimin e radhës, do të jetë emri i njëjtë, faleminderit”, tha Haxhiu sot. /Reporteri.net/
Kurti matet dy herë, s’i ka numrat në Kuvend