×
  • Lajme
  • Lajme

    Shëndetësia kosovare sërish në mëshirë të donacioneve, biznesmeni ndihmon Spitalin e Gjilanit

    Reporteri
    05 Maj 2019 | 15:22

    Në Komunën e Gjilanit, sot donatori Besnik Benz, nga Lladova, i cili jeton dhe punon në Genevë të Zvicrës, ka sjellë donacionin që dedikohet në fushën e shëndetësisë, konkretisht në Spitalin Regjional dhe Mjekësinë Primare të Gjilanit.


    Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka falënderuar donatorin për këtë punë të madhe që ka bërë në krijimin e kushteve më të mira për pacientët, trajtimin e tyre më të mirë dhe për personelin e spitalit që të kryejnë punën e tyre dhe të japin kontributin e tyre njëkohësisht.

    “Falënderoj donatorin Besnik Benz, i cili jeton me familjen e tij në Zvicër. Është një kontigjent i madh që do të ndikoj në përmirësimin e kushteve në Spitalin Regjional dhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Gjilan. Vlera e këtij kontigjenti është mbi 50 mijë euro dhe është për institucionin i cili mbulon mbi 500 mijë banorë. Në emër të qytetarëve të Gjilanit, e falënderoj donatorin dhe jemi mirënjohës për këtë mbështetje të madhe që e dedikon për regjionin tonë”, ka thënë kryetari Haziri.

    Ndërsa, drejtori i Spitalit Regjional, Nusret Hajrullahu, tha se ky donacion është shumë i mirëseardhur sepse materiali sanitar në këtë kohë i mungon shumë Spitalit dhe për shkak mungesës buxhetore sipas tij është e pamundur që të furnizohen.

    “Është donacion shumë i mirëseardhur, sepse prej kohësh kemi mungesë të materialit sanitar. Donatori sot ka bërë këtë të mirë të madhe për pacientët dhe garantojmë se ky donacion do të përdoret në qëllimin e duhur për kushte më të mira edhe për pacientët edhe për personelin shëndetësor, që trajtimi të jetë edhe më professional”, ka thënë drejtori Hajrullahu.

    Nga ana e tij drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Selami Xhemajli, ka thënë se është një moment shumë i mirë kur pranohet donacion dhe do të punojmë ngushtë të gjithë së bashku, që ky të jetë në shfrytëzim të plotë për qëllimin e dedikuar në sektorin primar të shëndetësisë por edhe në atë regjional.

    Kurse, në fjalën e tij Besnik Benz, potencoi se iniciativa për këtë donacion ka ardhur nga një rast që ai ka përmendur me nënën e tij e cila më parë ka marrë shërbime shumë të mira në Spital, por në kushte jo të mira sanitare.

    “Kam pas më herët nënën këtu në spital, pritja ka qenë shumë e mirë, por mungonin gjërat sanitare. Ai ka qenë qëllimi, që të ndikoj sadopak në krijimin e kushteve më të mira për pacientët dhe personelin që punon këtu. Gjilani do të jetë gjithmonë fokusi im kryesor që të kontribuoj në vazhdimësi”, ka pohuar Besnik Benz në fjalën e tij.

    Kryetari i Komunës në shenjë nderimi për kontributin që ka dhënë në interes të përgjithshëm, ka ndarë një mirënjohje falënderimi për donatorin Besnik Benz.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!