×
  • Lajme
  • Lajme

    Shkoi si 5 vjeçar, kosovari dëbohet nga Zvicra pas 40 vitesh

    Reporteri
    05 Tetor 2019 | 14:30

    45 vjeçari duhet ta mbarojë vuajtjen e dënimit me burg jo më parë se në vitin 2021. Pas kësaj, ai duhet ta lëshojë edhe Zvicrën.


    Ai jeton në Zvicër prej afër 40 vitesh, nga koha kur, si fëmijë 5 vjeçar kishte ardhur këtu me nënën dhe motrën. Tash, kur ka kaluar një kohë kaq e gjatë dhe kur 45 vjeçari është bërë ndërkohë baba i dy fëmijëve, ai duhet të kthehet në vendlindje, në Kosovë, shkruan “Aargauer Zeitung”.

    Arsyeja për dëbim është rënia e tij në vazhdimësi në kundërshtim me ligjin.

    Ndër të tjera, kosovari ka marrë pjesë në disa vjedhje të makinerisë ndërtimore me vlerë prej rreth 230 mijë frangash dhe ka shitur në Kosovë elektroshtëpiake të vjedhura në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Veç këtyre ai ka qenë i përfshirë në tregtinë me 53 kilogramë drogë të tipit marihuanë.

    Gjykata e Qarkut e Badenit e kishte dënuar atë në muajin prill të vitit 2005 me pesë muaj e gjysmë burg ndërsa në vitin 2014 me katër vite e 9 muaj burg. Gjykata e Lartë (Kantonale) e Aargaut ia kishte ngritur dënimin e fundit për edhe një vit.

    Kështu, 45 vjeçari duhet ta mbarojë vuajtjen e dënimit me burg jo më parë se në vitin 2021, përcjell albinfo.ch. Por menjëherë pas kësaj, siç ka vendosur tashmë Zyra për Migracion e Aargaut, ai duhet ta lëshojë edhe Zvicrën.

    Kosovari kishte ushtruar të drejtën e ankesës fillimisht në Departamentin Kantonal të Punëve të Brendshme dhe pastaj në Gjykatën Kantonale Administrative. Pasi në të dyjat kishte dështuar, ai kishte ushtruar ankesë edhe në shkallën më të lartë të gjyqësisë së Zvicrës, në Gjykatën Federale, transmeton albinfo.ch. Por edhe këtu doli duarthatë.

    Gjykata Federale ka vërtetuar vendimet e shkallëve të mëparshme për dëbimin e kosovarit. Gjegjësisht, për heqjen e lejes së qëndrimit të përhershüëm në Zvicër (Viza C).

    Këtë vendim gjykata e ka marrë duke pasur parasysh se rreziku për përsëritje është evident dhe për këtë arsye dëbimi është interes publik. Veç kësaj as paralajmërimet dhe as dënimi i parë me burg nuk e kishin ndalur të dënuarin nga kryerja e delikteve tjera.

    “Ushtruesi i ankesës nuk i ka shfrytëzuar shanset që i janë ofruar dhe paralajmërimet nuk i ka marrë seriozisht, përcjell albinfo.ch. Si përfundim, ai duhet t`i bartë pasojat përkatëse të gjithë kësaj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!