Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas shifrave alarmante të të infektuarve me coronavirus në 24 orët e fundit në Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Ahmeti ka paralajmëruar se numrat do të shtohen edhe më shumë nëse nuk do të kufizohen daljet pa nevojë, shkruan Reporteri.net.
“Këtë që e thash para tre dite po ndodh tani. Mbi 400 raste. Numrat do të shtohen shumë nqs nuk kemi edhe përgjegjësi individuale për të kufizuar daljet pa nevojë. Kujdes!”, ka shkruar Ahmeti në Twitter.
Këtë që e thash para tre dite po ndodh tani. Mbi 400 raste. Numrat do të shtohen shumë nqs nuk kemi edhe përgjegjësi individuale për të kufizuar daljet pa nevojë. Kujdes! https://t.co/wEchi4tjxY
— Shpend Ahmeti (@ShpendA) October 30, 2020
Kujtojmë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të fundit kanë humbur jetën edhe 4 pacientë të prekur me coronavirus.
Ndërkaq janë konfirmuar edhe 418 raste të reja pozitive prej të cilave 188 vetëm në Prishtinë, ndërsa janë shëruar 67 pacientë.
Ky është numri më i lartë i rasteve pozitive brenda 24 orëve që nga fillimi i pandemisë në Kosovë.
Numri total i rasteve pozitive është 19.328 raste nga 92.706 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 678 raste të vdekjes.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.434 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.126. /Reporteri.net