×
  • Lajme
  • Shqipëria

    17 raste të reja me coronavirus në Shqipëri, Tirana dhe Durrësi nuk respektojnë masat

    Reporteri
    16 Maj 2020 | 12:04

    Për të tretë ditë radhazi numri i të prekurve me COVID është i lartë. Në 24 orët e fundit janë testuar 306 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19, prej tyre 17 kanë rezultuar pozitivë (dy ditët e fundit nga 18 raste, sot 17). Mes të testuarve janë 48 persona personel shëndetësor të cilët kanë rezultuar të gjithë negativë për COVID19.


    Ministria e Shëndetësisë deklaron se rastet e reja janë të përqendruara në zonën Tiranë-Durrës, përkatësisht 8 në Tiranë, 8 në Durrës dhe një në Krujë, kryesisht kontakte të rasteve pozitive të mëparshme, por edhe raste të reja për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik. Ndërsa të shëruar në 24 orët e fundit janë 9 qytetarë.

    Sipas ministrisë, rastet e reja të rritura për të tretën ditë radhazi tregojnë qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë. Deri më sot janë kryer mbi 12 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 933 qytetarë. Prej tyre, 77% tashmë janë të shëruar.

    Aktualisht janë 188 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Durrës, Kamëz, Berat. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive.

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të përgjegjshëm, duke respektuar distancimin fizik, duke ruajtur higjienën personale, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, ndërsa bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte.

    “Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40” mbyllet apeli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!