Ka mbërritur rreth orës 7:30 të mëngjesit të sotëm anija “Libra” me 8 emigrantë nga Italia e nisur dy ditë më parë. A2 CNN ka raportuar se emigrantët janë nga Egjipti dhe Bangladeshi të cilët janë kapur në ujërat italiane.
Kjo është hera e dytë që anija patrulluese e marinës italiane “Libra” ka marrë rrugën drejt Shqipërisë, për të zbarkuar këtë herë në portin e Shëngjinit, 8 emigrantë të kapur disa ditë më parë në jug të Lampedusës.
Anija e marinës mbërriti mëngjesin e sotëm në brigjet shqiptare dhe emigrantët pas ekzaminimeve në Shëngjin do të dërgohen në kampin e Gjadrit.
Pas vendimit të Gjykatës së Romës për ndalimin e dërgimit të emigrantëve në Shqipëri dhe kthimin e tyre në Itali, Këshilli i Ministrave në Itali ka miratuar një dekret ligjor për këtë çështje.
Masa synon të kapërcejë ngërçin e krijuar nga vendimi i gjyqtarëve për të mos vleftësuar mbajtjen e disa azilkërkuesve në qendrën e pritjes së Gjadrit për shkak se vijnë nga vende të pasigurta./ A2CNN