×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Cakaj përgjigjet për kritikat nga Prishtina për heshtjen e Tiranës zyrtare

    Reporteri
    08 Maj 2020 | 9:35

    Në një intervistë për A2, ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, thotë se mospërmendja e zgjerimit në deklaratën e Samitit të Zagrebit nuk do të thotë anashkalim i këtij procesi. Cakaj thotë se ende nuk ka një datë se kur mund të zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare BE- Shqipëri.


    Zgjerimi nuk figuronte në deklaratën finale të Samitit të Zagrebit, por ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, është i bindur se integrimi i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë në fokusin e Unionit. Atëherë, a kemi një datë për tryezën e parë ndërqeveritare BE-Shqipëri?

    “Nuk mund të flas me data specifike, për shkak se e para jemi në një situatë me shumë të panjohura për shkak të pandemisë dhe në rastin e Shqipërisë, shumëçka varet edhe nga dinamika e zbatimit të reformave”, tha Cakaj.

    Parashikimet për uljen në tryezën negociuese nuk duket të jenë të afërta, për sa kohë Tirana nuk ka akoma gati ekipin e saj negociues.

    Në intervistën për A2, Cakaj flet edhe për krizën në Kosovë, duke i kthyer përgjigje kritikave që vijnë nga Prishtina për heshtje të Tiranës zyrtare: “Unë kam prirje që këtë ta shikoj si pjesë ta maturisë politike, pasi nuk jemi ne që duhet të diskutojmë mbi pozicionet e partive politike në Kosovë”.

    Gent Cakaj nuk mendon se pas krizës politike në Kosovë fshihet një plan i amerikanëve për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, ndaj dhe kërkon më shumë besim te partnerët strategjikë të shqiptarëve.

    A mund të luajë një rol Shqipëria në këtë proces? Përtej qasjes konstruktive, Cakaj shpjegon se Tirana nuk mund të jetë pjesë e negociatave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!