×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Çfarë trishtimi…”, Edi Rama reagon për sulmin nga të dyshuarit për spiunazh në Shqipëri

    Reporteri
    21 Gusht 2022 | 0:01

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen në Gramsh, ku është shprehur se ushtarakë neutralizuan tre individë të dyshuar për spiunazh.

    “Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël!”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama në Twitter.

    “Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh. Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!”.

    Ndryshe, dy ushtarë shqiptarë, të cilëve ishin në detyrë të ruajtjes së Uzinës së Përpunimit të Armëve në Gramsh, kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e sotme pasi të njëjtit janë përplasur fizikisht me 3 shtetas rusë, të dyshuar si agjentë.

    Ushtarët shqiptarë kanë pikasur lëvizje të dyshimta tek 3 persona të cilët kanë tentuar të hyjnë fshehurazi në Uzinë, dhe janë afruar për t’i larguar.

    Në momentin që janë afruar ka patur një përleshje fizike mes ushtarëve shqiptarë dhe tre rusëve, ku njëri prej tyre ka përdorur mjete djegëse (sprej) neuroparalizues duke i lënë të lënduar ushtarët shqiptarë.

    Fatmirësisht, gjendja e tyre shëndetësore po raportohet të jetë stabile.

    Dy ushtarët shqiptarë të sulmuar në Gramsh, në gjendje stabile

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!