×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Dy gishtat e fitores demokratike në tryezën e Edi Ramës për Escobarin, detaji që nuk u pa nga vizita e tij në Shqipëri

    Reporteri
    09 Dhjetor 2021 | 23:07

    Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike, Gabriel Escobar, e përmbylli vizitën e tij në Shqipëri me mesazhin e qartë, ku sytë janë drejtuar për nga lufta ndaj korrupsionit dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

    Ndër takimet e zhvilluara, ishin ato me kryeministrin Edi Rama dhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

    Mirëpo, ndërkohë që kryedemokrati është ky i fundit, një simbol aspak i zakontë për socialistët, është parë në tryezën kryeministrore të rezervuar për Escobar.

    Një suvenir i një dore me dy gishtat lart – simbolikë historike e demokratëve të Shqipërisë – është kapur disa herë në fotografitë gjatë takimit me kryeministrin Rama.

    Dora mban në grusht gjithashtu një trëndafil – simbol ky socialist.

    Këtë simbol, Rama e përdori në fakt për të fituar mandatin e tij të dytë në fushatën e parlamentareve të vitit 2017.

    Nga ana tjetër, në takimin me Bashën, tryeza ka qenë e thjeshtë, ku i vetmi “suvenir”, ka qenë uji i pijshëm dhe gotat.

    Sakaq, vetë simboli i gishtave lart, është një simbol të cilin e ka përdorur politikisht për thuajse 30 vjet, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

    Ky i fundit, mund të ketë qenë edhe objekt bisede, minimalisht mes Bashës dhe Escobar, dy ditë përpara Kuvendit të thirrur nga Berisha dhe mbi gjashtë muaj pas shpalljes së tij si non grata nga Departamenti i Shtetit.

    Në një prej fotografive madje, Escobar dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, janë të fokusuar nga aparati me suvenirin me dy gishta lart përpara tyre.

    Mirëpo, nëse pas kësaj fotoje fshihet një simbolikë më e thellë politike, ajo mbetet për t’u parë në veprime të mëtejshme të diplomacisë amerikane në Shqipëri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!