Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se dy ushtarakët e lënduar në Uzinën e Gramshit janë në gjendje të stabilizuar në Pavionin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ekipet e specializuara të Toksikologjisë, Djegie-Plastikës dhe ORL kanë kryer konsultat dhe ekzaminimet e plota për dy ushtarakët e ekspozuar ndaj gazit irritues, të cilët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute të helmimit.
Ndryshe, dy ushtarë shqiptarë, të cilëve ishin në detyrë të ruajtjes së Uzinës së Përpunimit të Armëve në Gramsh, kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e sotme pasi të njëjtit janë përplasur fizikisht me 3 shtetas rusë, të dyshuar si agjentë.
Ushtarët shqiptarë kanë pikasur lëvizje të dyshimta tek 3 persona të cilët kanë tentuar të hyjnë fshehurazi në Uzinë, dhe janë afruar për t’i larguar.
Në momentin që janë afruar ka patur një përleshje fizike mes ushtarëve shqiptarë dhe tre rusëve, ku njëri prej tyre ka përdorur mjete djegëse (sprej) dhe ka lënë të lënduar ushtarët shqiptarë.