Në vrasjen e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku viktimë mbetën Brilant Martinaj, Diklen Vataj dhe Besmir Hoxhaj, dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë.
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen. Bëhet me dije se 4 autorët e ngjarjes së rëndë prej ditësh kanë survejuar dhe ndjekur lëvizjet e Martinajt.
Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt dyshohet se ka qenë shënjestra e atentatorëve.
Ndërkohë Diklen Vataj luante rolin e bodigardit të 22-vjeçarit, që dyshohet për vrasjen e dy ish-policëve, Xhulio Prelës dhe Xhelal Reçit.
Diklen Vata ishte pasagjer në pjesën e pasme të makinës dhe tentoi të largohet, por autorët janë kthyer dhe e kanë qëlluar duke e lënë të vrarë.
Ndërkohë Martinaj dhe Hoxha u gjetën të shkrumbuar brenda mjetit, Hoxhaj raportohet të ketë qenë shofer në automjetin tip “VW Passat”.
Saga e vrasjeve të miqve të Ervis Martinajt
Më 13 nëntor 2021 mbeti viktimë e një atentati Eriger Mihasi, i njohur si shok i Ervis Martinajt. Ai ishte duke udhëtuar në automjetin e tij tip Audi A 8 me targa AB 008 EM, në momentin kur u qëllua me breshëri plumbash. Atentatorët qëlluan nga një automjet në lëvizje i cili ishte në pronësi të Mihasit. Ai kishte personalizuar edhe targat me inicialet e tij “E M”.
Mihasi kishte qenë disa herë i arrestuar dhe shpallur në kërkim për grabitje dhe ngjarje të tjera kriminale.
Tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Ai kishte qenë i arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.
Në qershor të 2020, Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut.
Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari.
Vrasja e Santiago Malkos
Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në gusht të vitit 2019 teksa u qëllua në makinën e tij BMW X5. Santiago Malko ish-punonjës policie kishte qenë më parë i arrestuar. Në lidhje me vrasjen e tij është arrestuar Blendi Teta.
Vrasja e Fabian Gaxhës
Fabian Gaxha u vra në lokalin “Monopol” në ish-Bllok në 4 tetor të vitit 2018 pas një përplasje mes dy grupeve. Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj, ku pas një konflikti mes palëve, u vra me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato.