×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Këto janë tarifat e kalimit në autostradën e re në Shqipëri

    Reporteri
    05 Janar 2025 | 18:33

    Që prej 4 janarit, në autostradën Thumanë-Kashar ka hyrë në fuqi aplikimi i tarifës për kalim.

    Ky është segmenti i parë i kategorisë “A” në Shqipëri, ndërtuar dhe mirëmbajtur nga kompania koncesionare “Gener 2”.

    Pas një periudhe 6-mujore kalimi pa pagesë, kompania njoftoi në dhjetor vendosjen e tarifave për përdoruesit e kësaj infrastrukture moderne 21 kilometra të gjatë.

    Tarifat janë si më poshtë:

    Motoçikletat me cilindratë mbi 250 cc: 170 lekë.

    Automjetet: 250 lekë ose 2.5 euro.

    Kamionët, autobusët dhe mjetet mbi 2.2 metra lartësi: 620 lekë.

    Mjetet me 4 ose më shumë akse: 870 lekë ose 8.8 euro.

    Disa drejtues automjetesh e kanë mirëpritur tarifën, duke theksuar cilësinë e autostradës dhe lehtësimin e qarkullimit. “Ja vlen. Në Evropë tarifat janë edhe më të larta,” u shprehën disa prej tyre.

    Standard i ri për infrastrukturën rrugore në Shqipëri

    Autostrada Thumanë-Kashar, pjesë e “Korridorit Blu”, u hap për qarkullim në qershor të vitit të kaluar dhe përmbush standardet e Bashkimit Europian, duke lejuar një shpejtësi maksimale prej 130 km/h. Ky investim privat, që do t’i dorëzohet shtetit pas 35 vitesh, përfshin:

    Tre korsi për çdo kah lëvizjeje, njëra e dedikuar emergjencave.

    14 nënkalime dhe 12 ura.

    Segmenti lidh Thumanën me autostradën Tiranë-Durrës, duke shërbyer si një arterie kyçe për qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj.

    Ky është vetëm hapi i parë i “Korridorit Blu” Adriatiko-Jonian, që pritet të përfshijë edhe katër segmente të tjera në të ardhmen. /Telegrafi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!