Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës ka bërë që shumë banesa të bëhen të pabanueshme.
Report Tv raporton se aktualisht në zonën e Kurbinit janë 18 pallate të dëmtuar nga tërmeti, ndërsa 8 prej tyre janë të pabanueshëm.
Ndërsa në rang qarku janë 56 pallate me dëmtime nga tërmeti (10 të pabanueshëm) 40 shtëpi private me dëmtime të cilat po verifikohen nga grupet e punës.
Një pallat në Lezhë është shpallur i pabanueshëm por kjo nuk i ka penguar banorët e tij që të vijojnë të qëndrojnë aty.
Një banor tregon për Report Tv se muret janë jashtë përdorimit, por kjo nuk e ka penguar që të qëndrojë brenda saj.
“Muret janë jashtë përdorimit. Kur është bërë ky pallat unë kam punuar në ndërtim. Lus Zotin që nuk ka rënë horizontal. Arsyeja pse është dëmtuar kaq shumë është cilësia e llaçit. Unë po qëndroj në shtëpi. Nuk ka problem për mua. Dje ka ardhur ministri. Këto nuk bëhen nga Zoti, këto duan fonde”, tregon banori.
Një pjesë e banorëve janë zhvendosur në çadra por shprehen se kushtet aty nuk janë aspak të mira. Pas reshjeve të shiu qëndrimi në çadra është bërë akoma më e vështirë. Shtabi i emergjencave civile ka bërë thirrje për solidazim për banorët që kanë mbetur jashtë banesave.