×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Policia në Vlorë arreston shtatë persona për shitje të drogës, në mesin e tyre një 27-vjeçar nga Kosova

    Reporteri
    03 Shtator 2024 | 14:01

    Policia shqiptare në operacionin antidrogë “Tempulli” ka arrestuar shtatë persona në një festival të mbajtur në Vlorë, shkrua Reporteri.net.

    Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se pesë persona janë shtetas të huaj dhe dy shqiptarë.

    Një nga dy shqiptarët, është 27-vjeçar nga Kosova.

    Njoftimi:

    Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli”.

    Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Parts 28”, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të zhvilluara në nivel qarku, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në sasi dhe në doza.

    Gjatë një festivali të zhvilluar në Delisuf, Vlorë, u arrestuan 7 shtetas që vepronin si grup kriminal (5 shtetas të huaj dhe 2 shqiptarë), për shitjen e dozave të drogave të ndryshme.

    U sekuestruan sasi të lëndëve narkotike kokainë, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis, 2 automjete dhe 1800 euro të përfituara nga shitja e dozave të lëndëve narkotike.

    Falë administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, dhe në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Vlorës, për mbarëvajtjen e aktiviteteve argëtuese në qark, u sigurua informacion për disa shtetas që vepronin si grup për të shitur doza droge në një festival në Delisuf.

    Në bazë të këtyre informacioneve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë finalizoi operacionin policor antidrogë të koduar “Parts 28”, gjatë të cilit shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë në perimetrin ku zhvillohej festivali dhe arritën të kapnin dhe të vinin në pranga shtetasit:

    A. S., 37 vjeç, banues në Poloni; P. O., 38 vjeç, banues në Hungari; Ch. G., 27 vjeç, banues në Itali; G. M., 20 vjeçe, banuese në Itali; P. S., 43 vjeç, banues në Çeki; S. S., 20 vjeç, banues në Tiranë; F. K., 27 vjeç, banues në Kosovë.

    Këta shtetas vepronin si grup duke siguruar droga të ndryshme, të cilat i ndanin në doza dhe ua shitnin turistëve dhe pushuesve që po ndiqnin një festival të organizuar në plazhin e Delisufit, Vlorë.

    Me cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi doza dhe tableta të lëndëve narkotike kokainë, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis, 1800 euro të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 2 automjete.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!