×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Prokurorët zbulojnë biznes me drogë me “call-centera” në Shqipëri

    Reporteri
    23 Gusht 2022 | 21:30

    Hetimet e Prokurorisë së Peruxhias kanë arritur të zbulojnë një rrjet trafiku të madh, i cili operonte nga Shqipëria në Itali.

    Pas operacionit të policisë Italiane ra në pranga një shtetas shqiptar, i cili akuzohet si pjesëmarrës në “shoqatën transnacionale që synon trafikun e paligjshëm të drogës”.

    Hetimet e kryera nga prokuroria italiane zbuluan se trafiku i drogës kryhej në formën e call-centerave, ku porositë bëheshin në Shqipëri, dhe shpërndarja më pas në Itali.

    Sipas hetuesve, tregtarët e drogës ishin të organizuar “sipas një rotacioni metodik në Itali, i karakterizuar nga periudha të shkurtra dhe intensive të shpërndarjes së drogës”, ndërsa më pas largoheshin për të qëndruar me muaj në vendin e origjinës.

    “Kontaktet me blerësit mbaheshin nga një anëtar i grupit kriminal, me vendndodhje në Shqipëri, i cili më pas ia komunikonte porosinë shpërndarësve të ndryshëm që mund të kishte të pranishëm më afër klientit në Itali. Në rastin konkret shpërndarësi i kokainës kishte një apartament dhe një automjet, ndërsa qarkullimi i lëndës narkotike përllogaritet në rreth 10 mijë euro në muaj”, sqarojnë agjentët e Antimafias së Peruxhias.

    Sipas dosjes së gjykatës, rezulton se “kontrolli i shtëpisë pas arrestimit të shtetasit shqiptar bëri të mundur gjetjen e disa dozave të paketuara të kokainës, një peshore preçize dhe rreth 6000 euro para cash të fshehura”.

    Për më tepër, i arrestuari u konstatua se ishte dëbuar dy herë më parë nga territori i shtetit italian. Për këtë arsye, shqiptari u arrestua edhe për posedim droge dhe shkelje të ligjit të konsoliduar për emigracionin dhe u burgos në Perugia-Capanne.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!