Duke ritheksuar për të disatën herë mbështetjen ndaj SPAK dhe drejtësisë, kryeministri Edi Rama u shpreh se është kundër arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliajt dhe mbajtjes së tij në paraburgim pa gjyq.
Nga rubrika “Sy m’sy”, kryesocialisti ironizoi kreun e PD Sali Berishën ku tha se ‘Noc rroku do shkrijë bufi i kënetës’.
Rama tha se zëri kritik është i nevojshëm aty drejtësia e pavarur tejkalon kompetencat apo ku ka parregullsi, por SPAK tha kryeministri nuk do të shkrihet.
“Jam kundër ndalimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, është i panevojshëm për të vazhduar hetimet, por ama si mund të ndaloj unë ekzekutimin. Ndalimin për 21 janarin e ka bërë një buf kënete që ulëret do shkrij SPAK-un”.
“SPAK nuk është i imi, SPAK është i Kushtetutës dhe i reformës në drejtësi. Për reformën në drejtësi po, aty marr përsipër autorësinë bashkë me PS. Besoj që tani jeni shumë më të qartë se ç ‘ishit se tani edhe Amerika është tërhequr siç e keni parë, nga kjo punë dhe nëse SPAK-un do ta kishte sjellë Amerika, tani që Amerika është tërhequr nga kjo punë, do ta kishte marrë me vete në Amerikë, po jo. SPAK është këtu dhe SPAK ka vetëm një garanci dhe ua u kam thënë, po ia u them dhe do t’iua u them: e vetmja garanci për mbijetesën dhe shkuarjen përpara SPAK-ut në kushtet e kësaj lufte të gjithanshme që i bëhet nga këneta politike dhe mediatike me në krye bufin, bufin plak të kënetës është Partia Socialiste e Shqipërisë dhe unë në krye të saj. Kështu që, rrotulloheni nga të doni, reformën në drejtësi e kam bërë unë me PS dhe e garantojmë unë me PS, nuk e garanton askush tjetër”, thotë Rama.
“Ka plot gjëra që nuk shkojnë edhe me SPAK, se nuk ka rënë nga qielli, është një institucion i ri, me shumë probleme, por ka krijuar vetëbesimin e pavarësisë. Askush nuk mund të thotë se SPAK është i kontrolluar nga unë, por ai është një institucion i pavarur. Ne nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të njëanshëm, jo profesionale dhe në shkelje të standardeve demokratike. Kemi hyrë në një fazë tjetër, na duhet që të kemi një pozicion kritik për të gjithë gjërat nuk shkojnë. Ne nuk mund të pranojmë, që në emër të pavarësisë paraburgimi të bëhet një normë për të kapur dhe për të kyçur brenda pa gjyq, këdo qoftë kur kushte e domosdoshme që duhen plotësuar për paraburgosje janë shumë të qarta. Këto janë çështje të një diskutimi dhe debati demokratik. Ne duhet të vëmë emrin e Shqipërisë “Albania” në tryezën e familjes europiane, prandaj jam këtu, prandaj jam këtu, prandaj dua mandatin e katërt”, tha ai.