×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shkarkohen mjekët e Onkologjisë në Tiranë që transferuan pacientët në një klinikë private

    Reporteri
    25 Qershor 2024 | 18:00
    Fotografi ilustruese

    Shtatë persona, mes të cilëve edhe dy mjekë të spitalit të Onkologjisë dhe zëvendësdrejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë vënë nën hetim dhe janë shkarkuar, pasi ata dyshohen se kanë krijuar një skemë abuzive të transferimit të pacientëve nga spitali shtetëror në një klinikë private, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin e Onkologjisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

    Për një prej mjekëve është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për zëvëndësdrejtoreshën e Qendrës Spitalore, mjeken tjetër dhe koordinatorin e spitalit onkologjik, është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Ata po hetohen për “shpërdorim detyre”.

    Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, tha për mediat se të gjithë personat e përfshirë në hetimet për skemën abuzive që transferonte pacientë nga Onkologjia në klinikën private janë të shkarkuar.

    “Ngjarja e sotme të krijon një neveri të madhe, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish, mbi të gjitha kur flasim për punonjës të sistemit të shëndetësisë, të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetës se njerëzve, ndihmën shëndetësore për ta. Ndjej neveri për situatën e ndodhur në spitalin e Onkologjisë. Këta individë nuk mund të damkosin bluzat e bardha”, tha Koçiu.

    Në rrjetet sociale është paralajmëruar se më 26 qershor do të mbahet një protestë e qytetarëve para Ministrisë së Shëndetësisë kundër atij që cilësohet “skandali i Onkologjisë”.

    Sipas autoriteteve shqiptare, shtatë punonjësit e spitalit shtetëror bashkëpunonin me administratorin e një klinike private, duke dërguar atje pacientët me sëmundje tumorale, që detyroheshin të paguanin deri në 3.000 euro për shërbimin që e përfitojnë falas në qendrën “Nënë Tereza”.

    Ata kanë bashkëpunuar edhe me administratorin e një farmacie. Sipas prokurorisë dyshohet se “disa prej barnave që janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e Onkologjisë, janë dërguar në farmaci dhe u janë shitur pacientëve”.

    Gjatë hetimeve, prokuroria tha se gjeti se aparatura e kobalto-terapisë, që ka mbërritur në Shqipëri në vitin 2021 nuk është shfrytëzuar dhe nuk është vendosur në funksionim.

    Aparatura e kobalto-terapisë përdoret për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale, sidomos për ata me kancer të lëkurës.

    Që kjo aparaturë të funksionojë duhej krijuar një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të përcaktuara ndërkombëtarisht.

    “Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike. Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar, por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje”, u tha në dosjen e Prokurorisë.

    Me urdhër të Prokurorisë në Tiranë është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore private ku dërgoheshin pacientët. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në disa farmaci, në njërën prej tyre janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme medikamentesh kontrabandë të dyshuara dhe të falsifikuara dhe një shumë prej 10.000 eurosh.

    Skema e transferimit të pacientëve nga Onkologjia te klinika private është zbuluar përmes personave të infiltruar dhe përgjimit të bisedave. Në dosjen e Prokurorisë së Tiranës theksohet se përgjimet kanë zbuluar se si punonjës të Onkologjisë u afroheshin të afërmve të pacientëve dhe u sugjeronin që të kryenin operacione në klinikën private, pasi në atë shtetërore radha ishte shumë e gjatë. Gjithashtu ata siguronin medikamente për kimioterapi, duke u shitur deri në 1.500 euro ilaçe që ishin për përdorim spitalor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!