×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shqipëria dhe Greqia, me pikë të përbashkët kufitare  

    Reporteri
    28 Janar 2022 | 21:53

    Shqipëria dhe Greqia do të kenë një pikë të përbashkët të kalimit kufitar, ashtu si në kufirin me Kosovën në Morinë-Vërmicë, apo në Muriqan-Sukobinë me Malin e Zi. Qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

    Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore, ndodhet për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas relacionit shoqërues të Këshillit Ministrave, me anë të kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i bashkëpunimit për të rritur efikasitetin në luftën kundër krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij, migracionin e paligjshëm, trafikimin e drogave, ekstremizmin e dhunshëm, radikalizmin, si dhe krimet e rënda, raporton Koha.

    Shkëmbimi i përbashkët i të dhënave personale ndërmjet autoriteteve kompetente të palëve do të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës kombëtar, duke pasur parasysh kushtet e përcaktuara nga autoriteti kompetent ofrues dhe parimeve vijuese, të cilat aplikohen si për përpunimin e të dhënave automatike dhe joautomatike, thuhet në marrëveshje.

    Por gjatë shqyrtimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti demokrat, Bledion Nallbati, ngriti pikëpyetje mbi garancinë e sigurisë për informacionin e shkëmbyer dhe shtroi pyetjen nëse do të ketë reciprocitet me palën greke.

    “Më vjen mirë që ndërtohet një qendër e tillë për shkëmbim informacioni. Kur pala greke kishte interes, pala shqiptare ishte e gatshme. Por a do të ketë reciprocitet?. Dhe lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, na kanë dalë sheshit të gjitha informacionet e klasifikuara, mos na shkojnë përtej kufirit? A do të ishte katastrofë nëse shkonin andej matanë në Greqi dhe i përdorin për interesat e tyre? Se s’kemi garanci as brendapërbrenda vendit”, është shprehur Nallbati.

    Por, sipas zv.ministrit të Brendshëm, Andi Mahila, mosreciprociteti është fakt dhe për të eliminuar atë, është ngritur qendra e përbashkët.

    “Është vlerësuar në vazhdimësi marrëdhënia me strukturat e shtetit grek, është edhe politikisht në nivel shumë të mirë”, tha Mahila.

    Kjo marrëveshje do të përmbushet për një periudhë prej pesë vjetësh dhe do të rinovohet automatikisht për një periudhë vijueshmërie pesëvjeçare, vetëm nëse secila palë informon palën tjetër, me njoftim me shkrim për qëllimin e saj për ta përfunduar këtë marrëveshje. Në këtë rast, kjo marrëveshje nuk do të jetë më në fuqi gjashtë muaj mbas datës së marrjes së njoftimit. Sipas raportit të dorëzuar në Kuvend, kostot financiare të pikës së përbashkët policore në Kakavijë do të ndahen në mënyrë të barabartë mes dy shteteve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!