×
  • Lajme
  • Shqipëria / Miratohet vendimi

    Shqipëria edhe zyrtarisht mbyll TikTok-un

    Reporteri
    06 Mars 2025 | 14:39

    Qeveria shqiptare ka vendosur të mbyllë për një vit rrjetin social TikTok. Zyrtarizimi i vendimit u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë të mërkurë.

    Sipas ministres, Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për të ndërprerë përkohësisht aksesin në TikTok në Shqipëri.

    Faza e ndërprerjes së aksesit në këtë platformë do të zgjasë 12 muaj.

    Ministrja tha se ky vendim ka në fokus interesin e fëmijëve dhe sigurinë publike në mjedisin digjital.

    Ndërprerja e aksesit në TikTok, theksoi Manastirliu, do të realizohet nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, brenda një periudhe të shkurtër kohore, e cila do të zgjasë disa ditë ose maksimumi një javë.

    “Kemi analizuar efektet që vijnë nga këto platforma, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve dhe rastet e dhunës fizike. Grupi i punës ka përfshirë të gjithë autoritetet përkatëse, duke marrë parasysh faktet dhe elementet që kanë pasur rëndësi maksimale. Si rezultat, kemi rekomanduar mbylljen ose kufizimin e aksesit në TikTok për një periudhë 12-mujore që do të na mundësojë marrjen e masave të tjera. Po ashtu, kemi nisur një komunikim me TikTok për të marrë masa të mëtejshme, duke vendosur filtra që ndalojnë promovimin e sjelljeve të padëshirueshme,” tha Manastirliu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!