×
  • Lajme
  • Lajme

    SHSKUK-ja kërkon nga qeveria mbështetje më të madhe buxhetore

    Reporteri
    11 Maj 2021 | 18:06

    Për më shumë se tri orë zgjati takimi në mes të anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi me drejtuesit e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.


    Pas këtij takimi që ishte i mbyllur për medie, u tha se kanë diskutuar për mbështetjen buxhetore për SHSKUK dhe situatën pandemike në vend.

    Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku tha se në takim u diskutua për gjendjen me epideminë dhe mbështetjen e stafit shëndetësor.

    Ajo ka thënë se kanë ofruar mbështetjen në aspektin e financimit, për të cilin thotë se do të japin kontribut në rishikimin e buxhetit për vitin tjetër.

    Kollçaku ka thënë se do të kujdesen për rritje të shtesave për stafin mjekësor deri në draftimin e Ligjit për Paga.

    “Angazhimi kryesor do të jetë i orientuar drejt një ligji të ri për paga ku atëherë në mënyrë të duhur dhe meritore do të zgjidhet çështja e pagave për gjithë punëtorët shëndetësorë pa dallim si dhe stafi mbështetës. Kërkesat kryesore (nga SHSKUK) janë kjo mbështetja buxhetore që unë besoj që nuk do të mungojë sidomos për barna edhe pse ne sa i përket spitaleve e kuptuam që deri 84% ka mbulese”, tha Kollçaku.

    Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka kërkuar mbështetje më të madhe buxhetore në aspektin e reformimit sidomos për legjislacionin që rregullon sistemin shndetësor.

    Lidhur me gjendjen epidemiologjike, Krasniqi tha se aktualisht gjendja është më e relaksuar dhe aktualisht në SHSKUK janë të hospitalizuar 320 pacientë.

    Anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga PDK, Bekim Haxhiu tha se në këtë takim kanë diskutuar për listën e pritjes që është shkaktuar si pasojë e pandemisë COVID-19.

    “Situata është e rëndë në aspektin e mungesës së vaksinave. Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka kontratë për furnizim me vaksina. Ajo çka po ndodh me furnizim me vaksina është në bazë të donacione. Kërkesa jonë është edhe për mungesë të barnave, e cila është një kosto e madhe buxhetore për shumë pacientë dhe familje”, tha Haxhiu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!