×
  • Lajme
  • Lajme

    Shumë rezoluta të miratuara nga Kuvendi por pak prej tyre zbatohen

    Reporteri
    26 Maj 2019 | 12:13

    Në pesë legjislaturat e Kuvendit të Kosovës janë votuar një numër i madh i rezolutave që janë iniciuar nga vetë deputetë për çështje të ndryshme, por pothuajse asnjëherë këto rezoluta nuk kanë gjetur zbatim në praktik. Kjo sipas shoqërisë civile po ndodhë sepse ekzekutivi nuk po i merr seriozisht këto dokumente që po dalin nga Kuvendi i Kosovës si organi më i lartë legjislativ në vend.


    Për mos jetësimin e rezolutave të shumta, opozita po e akuzon Qeverinë, kurse pozita thotë se implementim i disa prej këtyre dokumenteve veçse ka nisur në praktik.

    Disa nga këto rezoluta që u votuan dhe asnjëherë nuk gjetën zbatim, janë rezoluta për heqjen e roamingut në mes Kosovës dhe Shqipërisë, reduktimi i procedurave të përditshme të kalimit kufitar për bashkatdhetarët, rezoluta për gjendjen e Telekomit, rezoluta për dhënie e shtesave të fëmijëve, rezoluta për ndotjen e ajrit, rezoluta e cila e parasheh që sektori i arsimit të bëhet prioritet nacional dhe shumë të tjera.

    Deputetja e Lidhje Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar se Qeveria aktuale është duke i injoruar dokumentet e aprovuara në Kuvendin e Kosovë.

    Sipas saj, ky kabinet qeveritar është shembulli më i keq që po e shkatërron funksioni mbikëqyrës që Kuvendi ka ndaj Qeverisë.

    “Është duke u dhënë një shembull jashtëzakonisht i keq ku Qeveria injoron thuajse në tërësi rezolutat, përveç ndonjë që e ka iniciuar vetë, të tjerat është duke i injoruar. Kemi parë shembuj të shumtë përfshirë rezolutën për Telekom-in, rezolutën për mbrojtjen e mjedisit apo për ndotjen e ajrit dhe është thjesht do të thosha një shembull se si nuk do të duhej të mbytej parlamentarizmi, sepse duke injoruar dokumentet që i prodhon ky Kuvend vetëm sa po minohet, dhe vetëm sa po shkatërrohet funksioni mbikëqyrës i Kuvendit mbi Qeverinë. Në sisteme parlamentare siç është ky i yni nuk do të duhej të ndodhte një gjë e tillë, por janë duke u dhënë shembuj jashtëzakonisht të vështirë siç e dini në çdo vit në raportin për Kosovën, Bashkimi Evropian e kritikon këtë qasje”, thotë Osmani.

    Se rezolutat që po votohen në Kuvend, po neglizhohen nga ministritë përkatëse dhe po ashtu nga vetë Qeveria, e thotë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi.

    Kurteshi ka konsideruar se Qeveria e Kosovë është e obliguar t’i respektojë vendimet e Kuvendit, për çka kërkoi insistim më të madh për jetësimin e rezolutave të votuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!