Nuk pati takim trepalësh dje në Bruksel, siç pritej, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pranuan të takohen pas më shumë se nëntë muaj nga ballafaqimi i tyre i fundit në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.
Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.
Borrell , ka thënë se pozicionet e dy palëve mbesin të largëta për zbatimin e marrëveshjes.
Ai ka paralajmëruar se dy kryenegociatorët do të ftohen javën e ardhshme në Bruksel nga emisari Miroslav Lajçak.
Pas takimeve dypalëshe në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka kërkuar nga ndërmjetësit evropianë “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.
“Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe vullnet të mirë dhe këto vijnë përmes tri garancive të cilat i kam theksuar”, tha Kurti për gazetarët, duke iu referuar tri pikave që Borrell i cilësoi si kushte të vendosura nga Kurti.
“Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes sjell sigurinë ligjore dhe juridike në njërën anë, dhe anulon shkeljet e mëhershme”, tha Kurti.
Sipas tij, letra sikurse ajo që Bërnabiq i ka dërguar BE-së vitin e kaluar “janë sulme direkte mbi Marrëveshjen Bazë”.
“Ajo çfarë ne kemi bërë sot është se e kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazë. Ajo është nën sulm nga mosnënshkrimi, nga letra e bërnabiq dhe nga liria e Radoiçiqit, i cili përndryshe në Serbi vazhdon trajnimet për sulme të reja”, pretendoi Kurti.
Sipas tij, nuk mund të ketë as normalizim, e as paqe në rajon pa dorëzimin e Radoiçit tek autoritetet e Kosovës. Kurti, tha se kryeoganziatori i sulmit në Banjskës, Milan Radojiçiq, po “vazhdon të trajnohet në Serbi për sulme të reja”.
“Do të provojmë në fillim të korrikut, më 2 korrik, Bislimi Petkoviq, që do të diskutojnë mbi sekuencimin. Por zbatimi domosdo lyp respektimin e saj. Ne vetëm e kemi mbrojtur marrëveshjen, sepse ajo është nën sulm, nga mosnënshkrimi, nga letra e Brnabiq, dhe nën sulm nga liria e Radojçiqit, i cili vazhdon ushtrimet e trajnimet në Serbi për sulme të reja”, tha Kurti para mediave.
Kurti do takim bilateral me Vuçiqin në Bruksel vetëm kur të plotësohen kushtet e vëna nga ai
Kurse në anën tjetër, Vuçiq njoftoi përmes llogarisë së tij në Instagram se gjatë takimit me Borrellin dhe Lajçakun ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e dialogut dhe “zgjidhjen paqësore të problemit”.
Ai po ashtu tha se ka përmendur “të gjitha veprimet e njëanshme” të Kurtit.
“E ritheksova përkushtimin dhe gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi që synon mbrojtjen e popullit serb dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe shtova se Prishtina nuk është në gjendje të përmbushë atë që ka nënshkruar 11 vjet më parë, përkatësisht formimin e Asociacionit”, shkroi ai në Instagram./Reporteri.net/