Skandal: Dyshime për keqpërdorim të mbi 104 mijë eurove në QKUK me tenderin për kamera

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po dyshohet për keqpërdorim të mbi 104 mijë eurove me një tender për sistemin e kamerave. Një komision prej tre anëtarëve kishte nënshkruar pranimin e mallit, por në fakt malli nuk ekziston në depon e QKUK-së. Menaxhmenti i QKUK-së e ka raportuar rastin në Polici dhe Prokurori, pas raportit të Auditimit të Brendshëm.


Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka paguar 104,751 euro në shtator të vitit të kaluar për furnizim me kamera për objektet brenda këtij institucioni, si dhe dhomën e monitorimit të tyre. Por në fakt ky projekt nuk u realizua kurrë pasi në depon e QKUK-së nuk gjenden fare pajisjet e blera, shkruan Gazeta Shneta.

Njësia e Teknologjisë dhe Informacionit në kuadër të QKUK-së në dhjetor të vitit 2019 kishte kërkuar 105 mijë euro nga drejtoria e përgjithshme dhe sektori i Shërbimeve të Përbashkëta, për furnizim dhe montim të sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe integrimin e sistemit të kontrollit dhe qasjes. Kjo kërkesë ishte aprovuar dy ditë më vonë nga drejtori i përgjithshëm, drejtori i SHPTA-së si dhe shefi i sektorit Financiar.

Njoftimi për kontratë ishte shpallur më 6 nëntor 2019, ndërsa kompania “NTSH Artech” ishte shpallur fituese më 3 dhjetor të atij viti me ofertën në vlerë 104,751 euro. Ndërkaq kontrata ishte nënshkruar më 9 shtator të vitit 2020 kur edhe ishin zotuar mjetet nga Autoriteti Kontraktues – QKUK.

Në këtë tender kishte edhe dy ofertues të tjerë të cilët ishin më të lirë sesa “Artech”. Grupi i operatorëve “Impact” “BM Group” “Cimi Electronic” kishin ofertuar me çmim 98,816 euro, si dhe “Besa Security” me çmim 100,746 euro.

Megjithatë QKUK e kishte shpërblyer “Artech” me çmimin më të lartë. Kontrata ishte nënshkruar nëntë muaj me vonesë pas shpalljes së Njoftimit për Dhënie të Kontratës, ndonëse data e planifikuar ishte 13 dhjetori i vitit 2019.

Për këtë kontratë QKUK ka angazhuar Auditorin e Brendshëm që të kryej një auditim. Një kopje të raportit e posedon edhe Gazeta Shneta ku janë bërë gjetje skandaloze me dyshime të forta për keqpërdorim të buxhetit.

Pas nënshkrimit të kontratës, urdhërblerja ishte lëshuar më datën 29 shtator 2020, ndërsa raporti i pranimit teknik është bërë më 22 dhjetor 2020. Auditori ka gjetur se për këtë kontratë është marr vendim për menaxher më datën 25 shtator 2020, ndërsa me një vendim të datës 19 tetor 2020 menaxheri i kontratës është ndërruar.

Megjithatë në dosjen e kontratës Auditori nuk ka gjetur asnjë plan të zbatimit të kontratës të përpiluar nga menaxheri.

“Në bazë të intervistës të bërë me menaxherin e kontratës është bërë montimi i kamerave në klinika dhe reparte, por nuk janë funksionale sepse dhoma e monitorimit nuk ekziston, sipas kërkesës nga njësia kërkuese nuk është paraparë një projekt për funksionalizimin e dhomës për monitorim”, thuhet në raportin e Auditorit.

“Nuk është finalizuar puna sipas kontratës, nuk është bërë montimi i Akceskontrolleve, Instalimi i infrastrukturës dhe i pajisjeve, shtrirja e kabllove dhe pajisjeve tjera përcjellëse, furnizimi, konfigurimi deri në finalizim – Testimi në kushte reale të punës me funksionalitet të plotë, ndërsa janë paguar mjetet në tërësi”, thuhet tutje në raport.

Më datën 22 dhjetor 2020 komisioni prej tre anëtarëve kishte raportuar pranimin e mallit, dhe në bazë të këtij raporti ishte kryer edhe pagesa. Por në fakt malli nuk ekziston në depon e QKUK-së.

“Ne gjatë auditimit nuk kemi gjetur sasinë e deklaruar të mallit në depo dhe nuk kemi gjetur pranimin e mallit nga depoisti i cili deklaron se deri më datë 27.08.2021, ditë e premte nuk ka pasur asnjë pranim të mallit nga kjo kontratë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ndërkaq sipas këtij raporti, po atë ditë më 27.08.2021 në depon e QKUK-së është dorëzuar një sasi e mallit, por nuk është pranuar zyrtarisht nga depoisti.

Krejt në fund auditori ka rakomanduar që kjo lëndë të procedohet në organet kompetente.

“Për shkak të dyshimeve të bazuara për keqpërdorim gjegjësisht shmangie të mjeteve buxhetore, ekipi ynë ndërpret procedurën e auditimit më tutje. Rekomandojmë Bordin Drejtues dhe Drejtorin e Përgjithshëm të SHSKUK-së që lëndën ta procesojë tek organet kompetente”, thuhet në raport.

Gazeta nga burime brenda SHSKUK-së ka marr vesh se tashmë lënda është proceduar në Policinë e Kosovës dhe Prokurori, por deri më tani nuk është ndërmarr asnjë veprim nga ana e tyre.

Në anën tjetër Gazeta ka kërkuar sqarime me disa pyetje nga kompania “Artech”, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.