Sot është ministre e Kurtit, por vitin e kaluar Donika Gërvalla e quante Rexhep Selimin “figurë e botës së krimit”

Albin Kurti ka bërë ministre të kabinetit të tij qeverisës një person që hiç më larg se vitin e kaluar kishte hedhur akuza të rënda ndaj ish-shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.


Kreu i VV-së pasi bëri koalicion parazgjedhor me Listën “Vjosa”, pasi fitoi zgjedhjet për ministre të Jashtme bëri Donika Gërvallan e cila në shkurt dhe mars të vitit të kaluar kishte drejtuar akuza të rënda në drejtim të Selimit.

Fillimisht më 7 shkurt të vitit 2020 përmes një statusi kishte kritikuar VV-në pse e kishte bërë Selimin shef të grupit të deputetëve.

“Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, kishte shkruar ajo.

Por Gërvalla nuk ishte ndalur me kaq, ajo më 25 mars të vitit të kaluar, kur po rrëzohej Qeveria Kurti I, dhe të cilin rrëzim po e protestonte ashpër vetë Rexhep Selimi, kishte thënë se “VV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të deskredituara të botës së krimit”, shkruan Reporteri.net.

“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, kishte shkruar ajo.

Por këto deklarata të saj nuk ndikuan tek Kurti që ta mos emërojë kryediplomate të Kosovës.

Ndryshe Gërvalla është në thumb të kritikave pas një deklarate të bërë vite më parë ku kishte pohuar se është e gatshme të çojë dosje të Gjykata Speciale.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare, Faton Klinaku, ka thënë në një prononcim për Reporterin se Gërvalla duhet të tregojë nëse ka çuar dosje te Specialja dhe nëse po në çfarë cilësie. /Reporteri.net/.