×
  • Lajme
  • Lajme

    Spitali i Ferizajt furnizohet me oksigjen nga kompania e akuzuar për vdekjet nga oksiduli në QKUK

    Reporteri
    13 Gusht 2020 | 23:25

    Gati 10 mijë euro është vlera e tenderit me të cilin Spitali i Ferizajt ka shpërblyer kompaninë “Bubeari Komerc” për furnizim me boca të oksigjenit për rastet me coronavirus.


    Është e njëjta kompani që para dy vjetësh dyshohej se kishte prodhuar jashtëligjshëm gaz mjekësor, që dyshohet se ishte shkaktar i vdekjes për pacientë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Dyshimet e hetuesisë ishin që gazi mjekësor, me të cilin kompania e pati furnizuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ishte shkaktar i vdekje së katër pacientëve në shtator të 2017-s, në QKUK. Pronari i kompanisë, Naser Guri, ishte arrestuar.

    Inspektorati Shëndetësor me asistencën e Policisë së Kosovës e pati inspektuar këtë kompani. Raporti i tyre pati konstatuar se kjo kompani ilegalisht ka prodhuar gazin mjekësor, gaz i cili është përdorur në spitalet e Kosovës.

    Atëkohë QKUK-ja pati marrë vendim që t’ia shkëpuste kontratën kësaj kompanie.

    Përderisa hetimet janë duke vazhduar, Spitali i Ferizajt me një “kërkesë emergjente” ka shpërblyer me tender në vlerë prej 9929 eurosh për furnizim me 45 boca të oksigjenit për rastet me COVID-19, raporton KTV.

    Kompania fitoi tenderin më 11 gusht.

    Sipas përshkrimit të letrës për tenderuesin, thuhet se kompania ka dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët dhe i ka plotësuar të gjitha dokumentacionet e kërkuara në dosje të tenderit dhe në njoftimin për kontratë, teksa theksohet se ka qenë e vetmja kompani ofertuese.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!