×
  • Lajme
  • Lajme / Shefi i NATO-s në Prishtinë

    Stoltenberg: Po rishikojmë nëse duhet të kemi një rritje të përhershme të trupave në Kosovë

    Reporteri
    20 Nëntor 2023 | 17:54

    Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, gjatë konferencës për media në Prishtinë, tha se po zhvillohen diskutime mbi mundësinë e një rritjeje të përhershme të kontingjentit ushtarak të aleancës në Kosovë.

    Kjo vjen pas incidenteve të dhunshme që u regjistruan në muajin shtator në veri, ku mbeti i vdekur një polic i Kosovës.

    “Jemi në proces të vlerësimit të nevojës për një prezencë më të qëndrueshme të forcave tona, për të parandaluar çdo situatë që mund të sfugurojë nga kontrolli dhe të çojë në përshkallëzim të dhunës në Kosovë ose në rajonin më të gjerë. Ne jemi të përgatitur të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme. Momentalisht, janë duke u bërë rishikime të dispozitave që rregullojnë praninë tonë në terren,” deklaroi Stoltenberg, duke shtuar se NATO reagoi menjëherë pas incidentit në Banjskë, duke mobilizuar njësitë e rezervës për të forcuar praninë ushtarake atje.

    Stoltenberg pohoi se shtimi i trupave në Kosovë deri në 1,000 ushtarë tregon angazhimin e thellë të NATO-s për të ruajtur paqen në rajon, siç është reflektuar nga vendosja më e madhe ushtarake e bërë në vite të aleancës.

    Shefi i NATO-s u pyet për ndikimin e mundshëm rus në incidentet e fundit në veriun e Kosovës dhe për shqetësimet e NATO-s në lidhje me mundësinë e përshkallëzimit të situatës në një konflikt më të gjerë, Stoltenberg theksoi se aleanca ka investuar qëndrueshmërisht në paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit qysh nga dekada e ’90.

    Stoltenberg tha se sulmi i 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte një shenjë që konfliktet mund të rikthehen në Ballkanin Perëndimor.

    Ai tha para gazetarëve se aktet e tilla janë të papranueshme dhe se përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë, derisa theksoi se 93 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

    “Në maj ushtarët e KFOR-it u sulmuan. 93 ushtarë u lënduan rëndë dhe disa prej tyre edhe me rrezik për jetë. Aktet e tilla janë të papranueshme dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”, tha Stoltenberg, derisa shtoi se KFOR-i vazhdon të përmbush mandatin e tij të OKB-së për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë.

    “Kemi ngritur patrolla në veri. Këta janë hapa të shpejt për të siguruar që KFOR-i vazhdon ta përmbush mandatin e tij të OKB-së në çdo kohë. Do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë njerëzit. Stabiliteti në rajon vendoset në gjitha anët”, tha ai.

    Stoltenberg: Themelimi i Asociacionit, hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

    Çdo vendosje e forcave të Policisë së Kosovës duhet të marrë konfirmimin e NATO-s, dhe çdo lëvizje e Policisë së Kosovës në atë rajon.

    Shefi i NATO-s foli edhe për dialgoun mes Kosovës dhe Serbisë, teksa tha se të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim.

    Stoltenberg tha para gazetarëve se ka mirëpritur propozimin e fundit për themelimin e Asociacionit, derisa tha se është hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “NATO e mbështet edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të dyja anët duhet të angazhohen në mirëbesim. Mirëpres propozimet e fundit për themelimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe, ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën e përbashkët me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Ndryshe, vizita e Stoltenbergut në rajon vjen mes paralajmërimeve nga Ukraina se Rusia synon të nxisë konflikt mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Pas Kosovës, shefi i NATO-s më 21 nëntor do të qëndrojë në Serbi, ku është paraparë të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren e këtij shteti Ana Bërnabiq.

    Po të njëjtën ditë, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, shtet anëtar i NATO-s, ku do të takohet me krerët shtetërorë dhe do t’i drejtohet Kuvendit të këtij shteti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!