×
  • Lajme
  • Lajme

    Storia e Reporterit për mbylljen e kafenesë në Gjilan si pasojë e pandemisë, reagon edhe ish-Kryetari i Gjilanit

    Reporteri
    07 Maj 2020 | 17:26

    Historia e Lulzim Ahmetit nga Gjilani, që mbylli dje kafenenë e tij pas 7 vjetësh, për shkak të humbjeve financiare nga pandemia, ka bërë bujë të madhe në vend, e sidomos në Komunën e Gjilanit, shkruan Reporteri.


    Dje, pas raportimit të Reporterit, nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli reagoi duke bërë thirrje tek qiraxhitë dhe bizneset që të gjejnë mirëkuptim, por tha se edhe nga komuna do të kenë në vazhdimësi derën e hapur.

    Por, me këtë reagim të komunës nuk është kënaqur, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa. Ai ka akuzuar komunë se përkundër premtimeve, nuk iu ka dalë në ndihmë bizneseve. Edhe për këtë rast, ai ka thënë se është dashur komuna të asistojë në pagesën e qirasë.


    Ky është postimi i tij i plotë:

    Rikujtim

    LDK është fabrikë e vjetër e llafeve të kota

    Në epokën e internetit asgjë nuk harrohet.

    Pas shpalljes së pakos financiare prej rreth 180 milionë eurove nga qeveria në detyrë, për ndihmë individëve, familjeve dhe bizneseve, kryetari i komunës së Gjilanit poashtu doli para publikut me pakon financiare lokale e cila ndër të tjera e kishte edhe komponentën e pagesës së 50% të qërasë për bizneset e komunës (sepse 50% e pagesës së qërasë ishte në pakon e qeverisë).

    Mereni me mend, këto dy ditët e fundit, lajmi i keq e mori dhenë kur një mikrobiznes i komunës (kafeteria “corner”) u mbyll përfundimisht (sipas deklarimit të pronarit të saj, Lulzim Ahmetit) në pamundësi për me ia pague qëranë pronarit të hapsirës ku e ushtronte aktivitetin ky biznes.

    Qohet nënkryetari i Lutfi Hazirit, dhe na e lagë facebook-un e portalet me “lotët e tij të krokodilit” për mbylljen e këtij biznesi në vend se me ia pague me kohë dhe sipas zotimit publik pjesën e qërasë jo vetëm këtij qëradhënësi por edhe të gjithë të tjerëve dhe me akt konkret të zotit të shpisë me e parandalue një marre e faqe të zezë për komunën e për shtetin.

    Jo njëherë por, e kam thënë publikisht shumë herë që LDK dhe sidomos eksponenti i saj në Gjilan, Lutfi Haziri, janë sfilataxhi dhe prodhues të llafeve të kota por nuk ishin kurrë dhe nuk janë as sot ata që e mbajnë zotimin dhe fjalën publike.

    Shteti mbahet e rritet veç me njerëz seriozë. Hajgarexhitë as shpinë e vet nuk e mbsjnë si duhet.

    Tue i shkrue këto rreshta seç m’u kujtue ajo thënia e moçme shpotitëse për Gjilanin e dikurshëm të pazhvilluar:

    “O Gjilan o viran,
    Dy mejhane e një Han.
    Mos me u kanë edhe Shadërvani,
    Pat me të mujtë edhe Pozherani”

    Tipi si Lutfi Haziri dhe mentaliteti i sejmenëve të tij të mbledhur te maja e LDK, me ba me i lejue, përnime e kthejnë Gjilanin e sotëm dhe e bëjnë Pozheran.

    Marre, shumë marre!

    PS

    Përherë dhe shumë respekt për komunën time Gjilanin dhe për fshatin e madh e modern të Pozheranit. Krahasimi ishte i para gadi një shekulli e më shumë dhe e përdora veç për simbolikë krahasuese.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!