×
  • Lajme
  • Lajme

    Sveçla shpreh admirim për policët: Qofshi shembulli më i mirë i fëmijëve që ëndërrojnë uniformën tuaj

    Reporteri
    06 Shtator 2024 | 13:07

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas shumë sakrificash të gjata e të mundimshme të popullit për liri, para 25 viteve erdhi dita që të themelohej shërbimi policor i Kosovës.

    Në mesin e 23 policëve të rënë në detyrë, Sveçla ka përmendur Lazim Rexhepin, polici i parë i rënë më 11 shtator të vitit 2001, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Dy vite pas themelimit të saj, në përpjekjet e pareshtura për avancim dhe në shërbim të çdo qytetari, policia u ballafaqua me humbjen e pjesëtarit të parë të saj në krye të detyrës. Më 11 shtator 2001, tashmë heroi Lazim Rexhepi, do të vritej nga një grup plaçkitësish të maskuar duke u bërë heroi i parë që bie në krye të detyrës. 23 vite më vonë, që nga ky rast e 25 vite nga themelimi i Policisë së Kosovës, vendi ynë shënon në historinë e tij 23 pjesëtarë policorë të rënë në krye të detyrës. Sot, kur në sallë përveç familjarëve, kemi shumë prej kolegëve të heronjve të rënë në krye të detyrës, shprehi admirimin më të lartë për ta, për qëndresën e tyre e për vazhdimin në shërbim përkundër këtyre sfidave”, ka deklaruar Sveçla gjatë ceremonisë qendrore.

    Tutje, Sveçla ka numëruar arritjet e Policisë së Kosovës në këto katër vitet e fundit, për të cilët ka thënë se ata kanë mbrojtur me cdo cmim integritetin territorial dhe shtrirjen e sovranitetit, posacërisht në veri të vendit.

    Njëherit, ministri ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë, teksa ka thënë se llogaridhënia e Serbisë për organizimin e këtij sulmi, është i domosdoshëm.

    “Në pothuajse 4 vite të mandatit tonë, policia ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme, si në goditje të grupeve kriminale, rrjeteve e laboratorëve të drogës, terrorizmit, kontrabandës, korrupsionit e më e rëndësishmja, ka mbrojtur me çdo çmim integritetin tonë territorial dhe shtrirjen e sovranitetit, veçanërisht në veri të vendit. Këtë muaj bëhen një vit prej sulmit terrorist në Banjskë, ku në pritën e organizuar nga një grup terrorist, me minë kundër këmbësorisë u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Ky sulm terrorist shfaqi aspiratat e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit tonë dhe parandaloi realizimin e skenarit të saj për aneksimin e veriut të vendit. Drejtësia për Afrim Bunjakun dhe llogaridhënia e Serbisë për organizimin e këtij sulmi janë të domosdoshme”, ka potencuar tutje Svceçla.

    Mbi të gjitha, ministri ka shprehur mirënohje edhe për partnerët e Kosovës, teksa ka vlerësuar se në këto 25 vite, kanë kontribuar në forma të ndryshme që Policia e Kosovës të jetë në nivelet më të larta të detyrës.

    “Për fatin e mirë të vendit tonë, në historinë e saj, policia shënon plot 60 gjenerata me zyrtarë policorë, që shumë prej tyre nga të parat janë ende në shërbim, e më vjen keq që sot s’mund ta takojmë secilin individualisht që t’i shprehim mirënjohjen tonë për shërbimin e tyre. Qofshi shembulli më i mirë i fëmijëve që ëndërrojnë uniformën tuaj dhe së bashku qofshim shtylla e fortë për të ardhmen e tyre të sigurt dhe prosperuese”, ka thënë ai.

    Policia e Kosovës po e shënon 25 vjetorin e themelimit me aktivitete të ndryshme.

    Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm personalitett të larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete të agjencive të sigurisë nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

    Po ashtu, sot për herë të parë në historinë e Policisë së Kosovës është intonuar edhe himni zyrtar i tyre.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!