×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: Reformat do të ndryshojnë rrënjësisht sistemin gjyqësor dhe prokurorial

    Reporteri
    07 Maj 2019 | 13:54

    Prishtinë, 7 maj – Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë sot pjesë në takimin përmbyllës të projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë”.


    Me këtë rast, ministri Tahiri ka theksuar se fuqizimi dhe ngritja e pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit është në qendër të punës së tij, dhe se me reformat e nisura, do të ndryshohet rrënjësisht sistemi gjyqësor dhe prokurorial.

    “Rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit, me theks të veçantë në ngritjen e efikasitetit të gjyqësorit dhe parandalimin e korrupsionit, përfshirë agjendën e masave konkrete të Drejtësisë 2020, do t’i japin një formë tjetër sistemit gjyqësor, duke nisur kështu nga reformimi i mekanizmave për përgjegjësitë disiplinore, vlerësimin e performancës por edhe rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës” ka theksuar ministri Tahiri.

    Ministri Tahiri ka theksuar se rekomandimet e dhëna nga projekti i binjakëzimit, do të jenë të nevojshme për profesionalizmin e mëtejmë të sistemit gjyqësor.

    “Të gjitha këto rekomandime do të merren parasysh tutje gjatë zhvillimit të reformave të nisura në këtë fushë. Jam i bindur që ndihma të cilën e kemi marrë na ka afruar sado pak ndaj vlerave mbi të cilat ngrihet Bashkimi Evropian” ka thënë ministri Tahiri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!