×
  • Lajme
  • Lajme / Me Chollet, Escobar e disa homologë

    Takimet e presidentes Osmani në New York, në fokus dialogu

    Reporteri
    19 Shtator 2023 | 7:38

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se gjatë qëndrimit të saj në New York është takuar me nënsekretarin e Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Osmani tregoi se temë diskutimi ka qenë edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas saj, roli i SHBA-ve është kyç për të përfunduar ky proces.

    Ajo po ashtu ka shkruar në platformën “X” për rëndësinë e qasjes parimore ndaj zbatimit të marrëveshjeve.

    ”Me Chollet dhe Escobar diskutuam zhvillimet në dialog. Theksova rëndësinë e një qasjeje parimore për zbatimin e plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve dhe se roli i SHBA-ve është kyç për të përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes reciproke”, shkroi shefja e shtetit.

    E Presidenti i Kenisë, William Ruto, ka ndarë pamje nga takimi që zhvilloi me presidenten Vjosa Osmani, në Nju Jork.

    Presidenti Ruto deklaron se vendi që ai udhëheq vlerëson iniciativën e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara për të gjetur një përgjigje të përhershme në dialogun Kosovë-Serbi.

    “Ne besojmë se kjo përpjekje bashkëpunuese premton për një rezultat të favorshëm për njerëzit e të dy vendeve”, është shprehur ai në platformën X.

    Ndër të tjera, ai në postim edhe e ka etiketuar presidenten Vjosa Osmani duke përmendur se takimi i zhvillua në Misionin e Kenisë në Nju Jork.

    Osmani është takuar në New York edhe me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati.

    Në këtë takim është folur për përpjekjet e Kosovës dhe Libanit për afrimin e vendeve dhe popujve mes vete.

    ”Përsëriti përkushtimin e vendosur të Kosovës për të vazhduar përpjekjet tona të përbashkëta për të zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe me Libanin si një hap thelbësor për afrimin e vendeve dhe popujve tanë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    Presidentja Osmani po ashtu është takuar me kryeshefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright.

    Këtë e ka bërë të ditur vet presidentja përmes një shkrimi në “X”

    “Programi historik Kosova Compact, investimi më i madh i sektorit energjetik në vendin tonë, padyshim që do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhmeje energjetike të qëndrueshme dhe inovative”, ka shkruar Osmani. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!