×
  • Lajme
  • Lajme / Numrat

    Takimi i Kurtit me deputeten e LDK’së, Abrashi: S’jam i informuar, uroj që të ketë sa më shumë takime të tilla

    Reporteri
    19 Qershor 2025 | 10:57

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, është pyetur lidhur me takimin që ka zhvilluar në orët e mbrëmjes Kryeministri në detyrë, Albin Kurti me deputeten e LDK’së, Serbeze Kabashi Muçaj, në objektin e Qeverisë, për çka raportoi të hënën Gazeta Online Reporteri.net.

    Abrashi ka thënë se nuk është i informuar për këtë takim, por se uron që takime të tilla të ketë më shpesh.

    “Unë nuk jam i informuar në lidhje me takimin në fjalë. Uroj që të ketë sa më shumë takime të tilla nëse është e vërtetë. Unë uroj që deputetëve të cilëve nuk u ka humb ende arsyeja të reflektojnë në këto momente mjaft kritike sepse Kuvendi ka nevojë për zëra të arsyes që reflektojnë tani dhe me guxim për t’i kundërshtuar bllokadat e paarsyeshme”, ka deklaruar Abrashi, pas dështimit të 34’të për konstituimin e Kuvendit.

    Deputetja e re nga radhët e LDK-së, Kabashi-Muçaj të hënën e 16 qershorit është takuar me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti në objektin e Qeverisë.

    Kabashi-Muçaj, e shoqëruar nga asistenti i saj Islam Qerimi është takuar me Kurtin në objektin e Qeverisë të hënën rreth orës 20:00.

    Kurti nis “gjahun” në LDK: Takohet fshehtas me deputeten Kabashi-Muçaj, e priti në orët e vona në Qeveri

    Deputetja e LDK-së fillimisht e ka mohuar takimin me Kurtin.

    “Jo, as s’kam pasur takim, as nuk ka të bëjë me votën për, s’ka votë prej meje”, tha ajo për Reporteri.net.

    Pas instistimit të mediumit se “ju jeni parë bashkë me asistentin tuaj Islam Qerimi duke hyrë në objektin e Qeverisë, ajo “e zënë ngusht”, s’e ka mohuar takimin, por votën e saj pro Kurtit si e vetme, jashtë linjës së partisë.

    “Nuk ka votë prej meje individual për Qeverinë Kurti”, tha Kabashi-Muçaj, ndërsa e pyetur për kohëzgjatjen e takimit, ajo ka ndërprerë telefonatën.

    Emri i Kabashi – Muçajt ka kohë që përflitet si një prej deputeteve që mund ta ‘tradhtojë” Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të votojë pro Kurtit.

    Pikërisht një muaj më parë ajo kishte shfaqur shenja “flirti” me Vetëvendosjen e Kurtit.

    Deputetja e LDK’së kishte bërë thirrje për reflektim nga të gjitha subjektet politike për të tejkaluar ngërçin institucional.

    “Asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit. Ne nuk kemi të drejtë t’i zhgënjejmë qytetarët me mosveprim. Ata na kanë zgjedhur për të zgjidhur, jo për të bllokuar”, kishte shkruar ajo.

    Ajo e kishte cilësuar si të papranueshme situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës, ndërsa kishte theksuar se është e padrejtë që barra e zhbllokimit t’i lihet vetëm një partie politike.

    “Procesi është kolektiv dhe çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike. Përgjegjësia për ta çuar vendin përpara është e përbashkët, ashtu siç është edhe dëshira e qytetarëve për stabilitet, rend dhe zhvillim”, kishte shtuar deputetja e LDK-së.

    Partia e Kurtit është akuzuar nga partitë e tjera për “peshkim” të deputetëve të tyre. Nënkryetarja e LDK’së, njëherit deputete e kësaj partie, Hykmete Bajrami, javë më parë ka konfirmuar se dy deputetë të kësaj partie, janë kontaktuar nga Vetëvendosje për votën e tyre./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!