Të premten, palët negociatore nga Kosova dhe Serbia dështuan të arrijnë marrëveshje për targa gjatë një takimi të ndarë që patën me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë se Serbia u tregua dekonstruktive në takimet e djeshme, shkruan Reporteri.net.
Bislimi në Twitter ka shkruar se zgjedhja për pengimin përmes pjesëmarrjes si strategji parësore po rezulton efikase në parandalimin e progresit.
“Përkundër pritjeve dhe angazhimit para takimit, Serbia sërish nuk ishte konstruktive në takimet e djeshme në Bruksel. Zgjedhja për pengimin përmes pjesëmarrjes si strategji parësore po rezulton efikase në parandalimin e progresit. Konstruktiviteti dhe kreativiteti nga ana jonë është i nevojshëm dhe i dobishëm, por me sa duket jo i mjaftueshëm. Dua të falënderoj Miroslav Lajcakun për interesin dhe përpjekjet e tij të sinqerta drejt përfundimit të suksesshëm të negociatave për targat dhe energjinë”, ka shkruar Bislimi.
Contrary to expectations and ex ante commitment, Serbia again was not constructive in yesterday's Brussels meetings. Opting for obstruction through participation as primary strategy is proving efficient in preventing progress.
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) May 14, 2022
Gjatë ditës së djeshme, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se nuk është takuar me kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi, pasi, sipas tij, ai ka refuzuar të diskutojë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe çështjen e personave të pagjeturve.
Për këtë takim në Bruksel të premten ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se Beogradi zyrtar nuk është i interesuar të arrijë marrëveshje.
“Nuk e kam ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, por besoj që ndërmjetësuesi Lajçak do ta shpjegoj se cila palë nuk ishte konstruktive. Unë për vete nuk kam dilema. E di që kyrenegociatori ynë, Besnik Bislimi ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ, por qartazi Beogradi s’është i interesuar të ketë marrëveshje”.
“Ndërkaq, ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit, që ta sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja, e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, ka thënë Kurti për RTK-në. /Reporteri.net