×
  • Lajme
  • Lajme

    Të dhënat e para e lënë Behgjet Pacollin jashtë Kuvendit? Flasin nga AKR-ja

    Reporteri
    18 Shkurt 2021 | 15:20

    Aleanca Kosova e Re (AKR) ka thënë se ka mospërputhje të të dhënave për kandidatët e saj për deputetë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe për këtë shkak ka kërkuar nga KQZ-ja rinumërimin e votave.


    Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli ka deklaruar sot për Gazetën Insajderi se të dhënat e publikuara sot në media, sipas të cilave asnjë kandidat i AKR-së për deputet nuk ka siguruar ulëse në kuvend, nuk janë të sakta.

    Makolli ka vlerësuar se këto të dhëna janë të pabaza.

    “Ai lajm është i pabazë, sepse ne ende nuk i kemi të gjitha shënimet. Ne i kemi diku 70-80 për qind të votave vetëm për kandidatët tonë, jo për të gjithë listën”, ka thënë Makolli. “Nuk i kemi shifrat zyrtare, por z. Pacolli, për shembull, merr vota të mjaftueshme për të qenë njëri nga më të votuarit”.

    Sipas tij, ekzistojnë fakte të pamohueshme që vërtetojnë manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë në të gjithë vendin.

    “Kemi shumë bazë për të bërë këtë ankesë, kemi fakte të pamohueshme që është bërë manipulimi i votave. Kështu që, ne kërkojmë që të rinumërohen të gjitha votat. Ka edhe kandidatë të tjerë që pritet ta bëjnë këtë kërkesë”, ka thënë sekretari i AKR-së.

    AKR-ja në zgjedhjet e parlamentare të 14 shkurtit ka qenë pjesë e Listës së LDK-së duke garuar me gjashtë kandidatë për deputet.

    Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, lista e LDK-së ka fituar 13,4 për qind të votave, pa përfshirë këtu votat e diasporës, atyre me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara të cilat ende nuk janë numëruar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!