×
  • Lajme
  • Lajme

    Të dhënat e përgjithshme për koronavirusin në Kosovë, 8 burra dhe 8 gra të infektuar

    Reporteri
    17 Mars 2020 | 12:26

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se në vendin tonë aktualisht janë 16 raste të konfirmuara me Covid-19, duke bërë të ditur se rastet e fundit janë ato të mesnatës së 17 marsit.


    Tutje bëhet e ditur se 7 raste janë nga fshati Stubëll e epërme e Vitisë, 4 raste nga Malisheva dhe një rast nga komuna e Klinës, një nga Prizreni, një nga Podujeva, Prishtina e Obliqi.

    Ndërsa bëhet e ditur se aktualisht janë duke u testuar 271 mostra të dyshimta.

    Më poshtë e gjeni komunikatën të plotë:

    IKSHPK: GJASHTËMBËDHJETË (16) RASTE TË KONFIRMUARA ME KORONAVIRUS!

    Nga data 08.02.2020 deri me 17.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 271 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej gjashtëmbëdhjetë (16) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

    Gjatë orëve të mesnatës  me 17.03.2020 është konfirmuar edhe një rast pozitiv për virusin SARS-CoV-2: E ardhur nga Londra me datë 16.03.2020, ku ka qëndruar në vizitë zyrtare nga data 09-16.03.2020. Rasti me vendqëndrim nga Prishtina, gjinisë femër, mosha 39 vjeç.

    Nga data 13.03.2020 kur janë konfirmuar dy  rastet e para, deri sot  me 17.03.2020 gjithsej gjashtëmbëdhjetë raste pozitive të konfirmuara për virusin SARS-CoV-2: Rastet janë 7 raste nga fshati Stubëll e epërme – Vitisë, 4 raste nga komuna e Malishevës dhe me nga një rast komuna e Klinës, Prizrenit, Podujevës, Obiliqit dhe Prishtinës. Shtatë prej tyre raste të importuara tashmë nga vendet që raportojnë për qarkullim të COVID -19. Tetë prej tyre të gjinisë femërore dhe tetë mashkullore, rastet janë të grup-moshave 5 – 14 (2 raste), 15-24 (2 raste), 25 – 34 (3 raste), 35 – 44 (4 raste), 45 – 54 (2 raste), 55 – 64 (1 rast ) dhe mbi 70 vjeç (2 raste).

    Dhjetë prej tyre janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive, gjendja e nëntë prej tyre është stabile përveç rastit të moshës 77 vjeçare i cili kohë pas kohe lehtësisht e rënduar dhe me Oksigjenoterapi.

    Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 1901 thirrje, ndërsa vetëm në 24  orët e fundit janë pranuar 516 thirrje telefonike.

    Nga data 01.02.2020 deri me 16.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 10.653 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 479 udhëtarë, Merdare 4.264, Vërmicë 2.989, Jarinje 742, Dheu i Bardhë 552, Hani i Elezit 734, Kullë 534, Qafë Morinë 41, Bërnjak 178, Qafë Prush 15, Muçibabë 124 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me  COVID-19,  po monitoron të gjitha rastet e kontakteve si dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetëizolim shtëpiak.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!