Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mirëpritur deklaratën e Quint-it ku iu kërkohej liderëve të lënë anash politikën dhe të luftojnë koronavirusin.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Thaçi ka thënë se deklara e shteteve të Quintit është në puthje me kërkesat e tij.
“E mirëpres deklaratën e shteteve të Quintit, që ndaj kërkesave të njëjta me të miat, që të gjithë në Kosovë ta respektjnë Kushtetutën dhe ligjet, funksionimin demokratik të institucioneve dhe fokusin në luftimin e virusit COVID-19, në vend të shfrytëzimit të tij për beteja politike. Mirëqenia e qytetarëve është prioriteti më i lartë për të gjithë ne”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, SHBA e Britanisë së Madhe, kanë kërkuar që të ruhet stabiliteti politik, duke shtuar se duhet të ruhet edhe Kushtetuta.
Sipas tyre, në këtë moment kritik duhe t’i jepet përparësi luftës kundër Covid 19.
Ndërkohë, kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhje ku do të vendoset lidhur me kërkesën për thirrje të seancës për mocion.
E liderët politikë, në anën tjetër, nuk janë tërhequr nga qëndrimet që sollën deri në këtë situatë. Kryeministri Kurti nuk ka pranuar kushtet e LDK-së për ta vazhduar koalicionin, si rrjedhojë LDK-ja është barrikaduar në qëndrimin se Qeveria duhet rrëzuar.