×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi shpall organizatat terroriste për vitin 2019

    Reporteri
    27 Qershor 2019 | 14:40

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nxjerr një dekret i cili obligon institucionet e sigurisë që të krijojnë listën e personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, t’i nënshtrohen masave kufizuese.


    Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke marrë parasysh përkushtimin e Republikës së Kosovës që të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe Evropës, si dhe gatishmërinë që të jetë anëtare e denjë e familjes së shteteve paqedashëse në botë, sot ka nxjerr dekret që obligon institucionet e sigurisë të krijojnë listën vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Republikës së Kosovës.

    Deri në krijimin e listës vendore, sipas dekretit të presidentit Thaçi, institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës do ta zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila është rifreskuar më 8 janar 2019, raporton lajmi.net.

    Institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës obligohen që t’i ndërmarrin masat kufizuese përkatëse, në pajtim me praktikat ndërkombëtare, ndaj të gjithë personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në Listën e Bashkimit Evropian.

    Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi përkrahje të pakompromis në luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, duke dhënë shembull të mirë për tërë rajonin.

    Si pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Republika e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset Kosovës dhe partnerëve të saj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!