×
  • Lajme
  • Lajme

    U kujdesën për pacientët me COVID, rreth 100 infermierë nuk paguhen për orët shtesë të natës

    Reporteri
    25 Mars 2021 | 16:23

    Autor: Hasan Hoti


    Afro 100 infermierë që punojnë në Klinika të ndryshme në QKUK, ku trajtohen rastet me COVID-19, nuk po i marrin pagesat e ndërrimeve të natës, ndonëse ata po detyrohen t’i mbajnë ndërrimin.


    Pagesat nuk i kanë marrë as për shtesat që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës, merr vesh Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Në vendimin e Qeverisë së kaluar, ishte marrë vendim që mjekët t’i marrin 250 Euro në muaj, stafi i infermierëve 150 Euro, kurse personeli mbështetës 100 Euro.

    E në këtë kategori, nuk kanë hyrë infermierët që janë pranuar si staf ndihmës nga Ministria e Shëndetësisë, për kujdesin e pacienteve me Coronavirus.

    Në kushte anonimiteti, infermierë të Klinikave të ndryshme ku punojnë ata, thonë për Gazetën Online “Reporteri.net”, se që nga fillimi i punës, që gati pesë muaj, nuk kanë marrë asnjë shtesë me para për ndërrimet e natës e as për orët shtesë.

    Se pagesat nuk i kanë marrë asnjëherë, e kanë konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë, ndonëse fajin ia lënë Qeverisë së kaluar.

    Në një përgjigje për Reporteri.net, ky institucion thotë se për muajin shkurt dhe mars, janë duke shqyrtuar mundësinë e pagesës së tyre për këta dy muaj.

    “Me vendimet e mëhershme të Qeverisë së kaluar për shtesat në pagë, në asnjërin prej tyre nuk ka qenë e paraparë kjo kategori që të përfshihet në këto shtesa në pagë. Me vendimin e Qeverisë, të muajit shkurt, që parasheh shtesa në pagë vetëm për shkurt dhe mars 2021, MSh është duke shqyrtuar mundësinë e pagesës së tyre për këta dy muaj”, thuhet në përgjigjën e MSh-së. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!