×
  • Lajme
  • Lajme

    Ujësjellësi i Prizrenit anashkalon procedurat e prokurimit, bën pagesa me para cash

    Reporteri
    23 Qershor 2019 | 15:12

    Disa parregullsi ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditorit në kompaninë rajonale të Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor të Prizrenit për vitin 2018-të.


    Sipas Auditorit kjo kompania ka blerë mallra dhe shërbime pa procedura të prokurimit edhe pse ndërmarrjet publike me rastin e blerjeve të mallrave dhe shërbimeve kanë për obligim që të respektojnë të gjitha procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).

    Nga 28 pagesat e testuara, Auditori ka vërejtur se kompania kishte bërë blerje direkt nga operatorët ekonomik duke anashkaluar procedurat e prokurimit, shkruan Reporteri.net.

    Nga analiza e kartelave të shpenzimeve të operatorëve ekonomik që janë përzgjedhur për mostrim, Auditori ka vërejtur se Ndërmarrja kishte bërë blerje të mallrave ose shërbimeve me të njëjtin operator ekonomik ku shumica prej tyre ishin bërë me para të gatshme (petty cash) me vlera nën 100€.

    Vlera e përgjithshme e pagesave kalon kufirin e caktuar sipas LPP-së, prandaj Autoriteti Kontraktues ishte dashur të përdor njërën nga llojet e kontratave që përcakton nenit 19 i LPP-së.

    “Në vijim janë paraqitur rastet e identifikuara të blerjeve pa procedura të prokurimit:
    61 pagesa për shpenzime materiale, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 3,182€;
    90 pagesa me tre operatorë ekonomik të ndryshëm për shpenzime të mirëmbajtjes së automjeteve, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 5,735€;
    Pagesa e 5 (pesë) biletave të aeroplanit me vlerë 1,375€;
    22 pagesa për furnizim me material higjienik, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 470€;
    14 pagesa për furnizim me pajisje, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 1,372€; dhe
    20 pagesa për furnizim me pjesë, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 1,181€.
    Mangësitë e identifikuara kishin ndodhur për shkak të mos funksionimit të mjaftueshëm të kontrolleve të brendshme në procesin e planifikimit dhe realizimit të blerjeve të mallrave dhe shërbimeve”, thuhet në raport.

    Gjetje tjetër në këtë kompani është se Hidroregjioni Jugor nuk ka bërë hapa konkret në drejtim të vendosjes së sistemit për menaxhimin e rreziqeve.

    “Ndërmarrja ende nuk kishte arritur të hartoj regjistrin e rreziqeve me qëllim të identifikimit dhe zvogëlimit të tyre në nivel të pranueshëm, siç kërkohet me Kodin e Etikës dhe Qeverisjes Korporative, neni 15.3 ku theksohet se Bordi duhet t’i rishikoj rreziqet kryesore në biznes, të sigurohet që janë të vendosura, dhe t’i rishikojë në baza të rregullta në dritën e ndryshimeve dhe objektivave strategjike të kompanisë. Kjo ka ndodhur për shkak të mos vlerësimit të rëndësisë së rreziqeve dhe efektit që mund të prodhojnë menaxhimi i rreziqeve eventuale”, thuhet në raport.

    Pranimet e parave nga klientët e pa identifikuar është një problem tjetër që Auditori ka gjetur në këtë kompani.

    “Kompania në fund të vitit 2018 në llogaritë e saj posedon 9,588€ nga pagesat e klientëve pa adresë, pagesat e panjohura në ekstrakt si dhe pagesat që bëhen gabim në llogaritë bankare të kompanisë. Këto pagesa kryhen nga klientët e saj, por për kompaninë janë të pa identifikuar dhe deri sa të gjendet konsumatori këto mbeten pezull pasi që paratë pranohen por llogaritë e arkëtueshme të klientëve përkatës nuk kreditohen për të zvogëluar borxhin e tyre”, thuhet në raport.

    Auditori thotë se kjo ka ndodhur pasi që këto para edhe pse janë paguar në llogaritë bankare të kompanisë ato ishin të paidentifikuara se për cilët klient bëhet fjalë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!