Një tërmet i fuqishëm tronditi në orët e para të mëngjesit të së martës.
Lëkundjet me magnitudë 6.4 në epiqendër apo intensitet 8 ballë fatkeqësisht morën disa jetë njerëzish e mbi 650 janë plagosur në Tiranë, Durrës, Fushë- Krujë e Kurbin.
Ka tri ditë që të gjithë shqiptarët anembanë botës janë solidarizuar me banorët e prekur nga tërmeti i së martës që goditi Shqipërinë, shkruan Reporteri.net.
Ndihma në mënyrë të pandërprerë janë dërguar vazhdimisht përgjatë këtyre dy ditëve dhe kosovarët kanë hapur dyer për shumë familje shqiptare që duan të strehohen sa të kalojë frika nga tërmetet. Në mënyrë të organizuar edhe sonte është organizuar transporti për banorët e prekur të Durrësit që dëshirojnë të nisen drejt Kosovës.
Emine Imeri nga Skenderaj është një nga shumë vajzat dhe djemtë nga Skenderaj që ndodhet në Durrës, ku janë dërguar duhma për banorët e prekur nga tërmeti. Ajo ka qenë shumë e zëshme duke i siguruar banorët se sonte të gjithë ata që duan do të transportohen drejt Kosovës.
Përderisa një banor ka bërë pyetjen se si do të shkojnë në Kosovë, kush do t’ia siguroj strehimin, kosovarja nga Skenderaj e ka siguruar se sonte askush nuk do të mbetet pa transport.
“I kemi hotelet, por jo vetëm strehim. Ato po ofron mëngjes, drekë dhe darkë. Nerën po e bajnë tamon burrnishi. Kosova, një shtet i vogël po tregohet i madh. Unë nga erdha 14 km ishte kolona e veturave, furgonave e autobusëve që kanë ardhë me sjellë ndihmat e tyre. Nuk po dëgjojnë as për dënime as për polici. Nëse Edi Rama e ka shpallë gjendje të jashtëzakonshme atëherë le ti ngritë ato rampa se nuk ka kufi, nuk ka rampa për neve. Ju jap fjalën se sonte çdo njeri ka me ardhë në Kosovë”, ka thënë zëshëm ajo. /Reporteri.net